
Rama: “Shkalla e meritës”, reformë që garanton profesionalizëm në çdo nivel të shërbimit publik
Kryeministri Edi Rama, në një komunikim sot së bashku me ministren për Administratën Publike, Adea Pirdeni, u shpreh se transformimi i shërbimeve publike synon ta afrojë administratën me qytetarët

Kryeministri Edi Rama, në një komunikim sot së bashku me ministren për Administratën Publike, Adea Pirdeni, u shpreh se transformimi i shërbimeve publike synon ta afrojë administratën me qytetarët, duke përdorur teknologjinë jo vetëm për orientimin e tyre, por edhe për të lehtësuar procedurat dhe për të kryer një pjesë të veprimeve që më parë kërkonin praninë e qytetarëve.
“Kemi një model të transformuar shërbimi, i cili është aktivisht i pranishëm, jo vetëm për të orientuar qytetarët, por edhe për të kryer një pjesë të punës që më parë duhej ta bënin vetë ata që paraqiteshin për të marrë shërbime në “e-Albania””, tha Rama.
Sipas Kryeministrit, “Shkalla e meritës” është pjesë e reformave që synojnë të krijojnë një administratë ku përgatitja, aftësitë dhe përkushtimi të jenë përcaktuese për hyrjen dhe përparimin në karrierën administrative.
“Si ta bëjmë administratën shqiptare një hapësirë ku njerëzit më të aftë, më të përgatitur, më të përkushtuar dhe, mbi të gjitha, ata që dëshirojnë t’i shërbejnë vendit përmes administratës shtetërore, të kenë mundësi jo vetëm të hyjnë në të, por edhe të përparojnë në shkallët e karrierës administrative? Prandaj e kemi quajtur “Shkalla e meritës””, u shpreh Rama.
Ai e lidhi këtë reformë edhe me krijimin e Ministrisë së Administratës Publike, e cila përqendrohet tek organizimi i institucioneve, kapitali njerëzor, cilësia e shërbimeve dhe përgjegjësia e administratës ndaj qytetarëve.
“Krijimi i ministrisë është një zhvillim me rëndësi të madhe institucionale, ndërsa “Shkalla e meritës”, që mund të duket si një aspekt më teknik, në fakt përfaqëson diçka më të thellë. Mënyrën se si e kuptojmë marrëdhënien e qytetarit me shtetin dhe të shtetit me njerëzit që punojnë për të”, theksoi Kryeministri.
Rama vuri në dukje se gjatë viteve të fundit është ndryshuar mënyra e ofrimit të shërbimeve publike, duke hequr sportelet tradicionale dhe duke investuar në teknologji e infrastrukturë digjitale.
“Kemi hequr sportelet, ato sportelet e dikurshme, të cilat është mirë t’i kujtojmë kur flasim për atë se ku kemi arritur dhe ku duam të shkojmë. Ato përcaktonin jetën e përditshme të qytetarëve për një pjesë dërrmuese të shërbimeve”, tha Rama.
Ai shtoi se investimet në teknologji e kanë kthyer Shqipërinë në një shembull në rajon dhe kanë rritur interesin ndërkombëtar për përvojën shqiptare në fushën e shërbimeve dhe teknologjisë.
“Kemi investuar shumë në teknologji, aq sa jemi kthyer në një shembull në rajon dhe kemi tërhequr vëmendjen edhe përtej tij. Jemi bërë një adresë ku ftohemi për të ndarë eksperiencën tonë në konferenca, forume dhe samite për shërbimet dhe teknologjinë”, u shpreh Kryeministri.
Burimi ATSH



















