
Ibrahimaj: Paketa Fiskale 2027 synon uljen e kostos së jetesës, ka në fokus qytetarin
Paketa Fiskale e vitit 2027 do të ketë në fokus qytetarin, me synimin për të ulur çmimet e ushqimeve, karburantit, qirave dhe banesave.

Paketa Fiskale e vitit 2027 do të ketë në fokus qytetarin, me synimin për të ulur çmimet e ushqimeve, karburantit, qirave dhe banesave. Kështu deklaroi sot ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila theksoi se në hartimin e paketës janë marrë parasysh kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve.
Në një komunikim për mediet, Ibrahimaj u shpreh se politika e re fiskale synon të lehtësojë kostot e jetesës, duke përmirësuar njëkohësisht shërbimet dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik.
“Paketa Fiskale e vitit 2027 ka në fokus qytetarët, duke synuar uljen e çmimeve të ushqimeve, të karburantit, të qirave dhe të shtëpive. Kemi dëgjuar kërkesat e prindërve, të studentëve, të pensionistëve dhe të çifteve të reja dhe kemi hartuar politikën e re të taksave, që lehtëson koston e jetesës, duke ofruar në të njëjtën kohë shërbime më të mira për të gjithë dhe duke i dhënë ekonomisë stimujt që i duhen”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur se ndër masat e parashikuara në paketën fiskale janë ulja e TVSH-së për ushqimet, lehtësimi i barrës tatimore për shtresën e mesme dhe heqja e taksës së qarkullimit për karburantet gjatë furnizimit në pompa.
Ajo theksoi gjithashtu se biznesi i vogël do të vijojë të jetë i përjashtuar nga taksimi, ndërsa do të synohet formalizimi i tij.
“Do të ulim TVSH-në e ushqimeve, do të taksojmë më pak shtresën e mesme, do të heqim taksën e qarkullimit për karburantet nga pompa, kur furnizojmë makinat, do të vazhdojmë të mbajmë të përjashtuar biznesin e vogël, ndërsa synojmë formalizimin e tij. Kjo është një paketë fiskale sociale, në funksion të qytetarëve, për të garantuar një jetesë më të mirë për të gjithë”, deklaroi Ibrahimaj.
Burimi ATSH



















