Ahmetaj: Projektbuxheti 2027 garanton konsolidimin fiskal, mbështet rritjen e qëndrueshme ekonomike

Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj deklaroi sot se projektbuxheti i vitit 2027 ruan orientimin drejt konsolidimit fiskal, duke kontribuar në qëndrueshmërinë e financave publike dhe krijimin e hapësirave për investime.


Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj deklaroi sot se projektbuxheti i vitit 2027 ruan orientimin drejt konsolidimit fiskal, duke kontribuar në qëndrueshmërinë e financave publike dhe krijimin e hapësirave për investime.

Gjatë diskutimit në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat për opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2027” dhe projektligjet e paketës fiskale, Ahmetaj tha se vlerësimi i institucionit përqendrohet në politikën fiskale të projektbuxhetit, projeksionet e të ardhurave dhe kontrollin e deficitit buxhetor, në përputhje me kërkesat ligjore të përgjegjshmërisë fiskale.

Duke u ndalur te konteksti makroekonomik, Ahmetaj theksoi se Shqipëria ka shënuar rritje të qëndrueshme të aktivitetit ekonomik gjatë viteve të fundit.

“Shqipëria ka shënuar një rritje të qëndrueshme të aktivitetit ekonomik gjatë viteve të fundit, shoqëruar nga zgjerimi i punësimit dhe rritja e pagave në sektorin privat jobujqësor. Sipas INSTAT dhe të dhënave indirekte, këto trende kanë vijuar dhe do të jenë të pranishme edhe në tre tremujorët e parë të vitit 2026”, u shpreh ajo.

Zëvendësguvernatorja nënvizoi se stabiliteti ekonomik dhe financiar i vendit është përmirësuar, ndërsa inflacioni i çmimeve të konsumit mbetet i ulët dhe pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

“Treguesit e qëndrueshmërisë së jashtme dhe asaj fiskale të vendit, siç janë borxhi i jashtëm dhe ai publik, deficiti i llogarisë korrente dhe deficiti buxhetor, ndodhen në nivelet më të ulëta të dy dekadave të fundit”, deklaroi Ahmetaj.

Ajo shtoi se përmirësime janë regjistruar edhe në treguesit e shëndetit financiar të bizneseve dhe familjeve shqiptare, si dhe në qëndrueshmërinë e sektorit bankar.

“Ky progres është njohur nga vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian, të cilat janë në linjë me vlerësimet e mësipërme, si dhe është pasqyruar në reduktimin e rrezikut të borxhit sovran të vendit nga Moody’s dhe Standard & Poor’s”, tha ajo.

Ahmetaj vuri në dukje se perspektiva ekonomike mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve, si në drejtim të inflacionit, ashtu edhe të rritjes ekonomike.

“Konjuktura aktuale e zhvillimit mbetet sfiduese, e karakterizuar nga rreziqet e kahut të sipërm për inflacionin dhe rreziqet e kahut të poshtëm për rritjen ekonomike. Këto rreziqe burojnë si nga konteksti gjeopolitik dhe rritja e çmimeve në tregjet botërore, ashtu edhe nga tensionet e brendshme sociale, të cilat rrisin pasigurinë e bizneseve dhe familjeve”, u shpreh zëvendësguvernatorja.

Sipas saj, perspektiva afatmesme dhe afatgjatë e zhvillimit ekonomik mbetet pozitive, por kërkon vijimin e reformave për reduktimin e dobësive strukturore dhe përshpejtimin e ritmit të rritjes.

“Statusi i Shqipërisë si një ekonomi me të ardhura të mesme dhe perspektiva e përballjes me një nivel më të lartë konkurrence brenda BE-së kërkojnë vijimin e reformave për reduktimin e dobësive strukturore, si edhe përshpejtimin e ritmit të rritjes. Këto reforma duhet të synojnë zgjerimin e bazës sektoriale të rritjes, përmirësimin e produktivitetit të punës dhe kapitalit nëpërmjet rritjes së cilësisë së arsimit, përmirësimit të klimës së biznesit dhe krijimit të një ambienti favorizues për investime dhe inovacion”, theksoi Ahmetaj.

Sa i përket projektbuxhetit 2027, Ahmetaj vlerësoi se dokumenti arrin të balancojë sfidat afatshkurtra me prioritetet afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit të vendit.

“Projektbuxheti 2027 ruan kahun konsolidues të politikës fiskale, çka rrit qëndrueshmërinë e financave publike, ndihmon kontrollin e presioneve inflacioniste dhe rrit hapësirat për reagimin e politikës financiare. Së dyti, ky buxhet krijon hapësira fiskale për një nivel më të lartë të investimeve publike, në mbështetje të përmirësimit të infrastrukturës publike”, deklaroi ajo.

Ahmetaj u ndal edhe te paketa e re tatimore, e cila, sipas saj, synon zgjerimin e bazës së të ardhurave dhe reduktimin e informalitetit.

Projektbuxheti parashikon një deficit buxhetor prej 2,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe vijimin e trajektores rënëse të borxhit publik, tregues që, sipas Bankës së Shqipërisë, dëshmojnë angazhimin për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, kritikoi projektbuxhetin 2027, duke vënë në dukje mungesën e masave për të adresuar emigracionin dhe tkurrjen e popullsisë, si dhe politikat e pagave në sektorin publik.

Duke iu referuar raporteve vjetore të Bankës së Shqipërisë për vitet 2024 dhe 2025, Bozdo tha se zhvillimet demografike dhe emigracioni janë evidentuar si faktorë që ndikojnë në rënien e popullsisë.

“Shqipëria ka humbur mesatarisht 50 mijë banorë në vit për arsye emigrimi. Kushtet në tregun e punës mbeten të shtrënguara dhe bizneset kanë vështirësi në plotësimin e vendeve vakante”, u shpreh Bozdo.

Sipas tij, projektbuxheti nuk parashikon ndërhyrje konkrete për të luftuar këtë fenomen.

“Pasqyra e qeverisë nuk jep asnjë masë për të luftuar fenomenin e emigracionit dhe të tkurrjes së popullatës”, deklaroi deputeti i PD-së.

Marrë nga ATSH

Hoxha: 3,9 miliardë lekë për diplomacinë në 2027, vijon mbështetja arsimore dhe kulturore për diasporën

Buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2027 parashikohet në 3,9 miliardë lekë, rreth 40 milionë…

Global 360

Kurti: Serbia duhet ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar si historik rezultatin e arritur nga shqiptarët në zgjedhjet parlamentare në Serbi

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Hoxha: 3,9 miliardë lekë për diplomacinë në 2027, vijon mbështetja arsimore dhe kulturore për diasporën

Buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2027 parashikohet në 3,9 miliardë lekë, rreth 40 milionë…