Inspektorati i Përgjithshëm dhe Universiteti Bujqësor, synohet rritja e profesionalizmit në inspektime
Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula dhe rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, prof. dr. Fatbardh Sallaku nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, si një hap drejt profesionalizimit dhe forcimit të sistemit të inspektimit.

Sipas njoftimit të Inspektoratit të Përgjithshëm, ky partneritet synon të ndërthurë ekspertizën akademike me përvojën institucionale, përmes trajnimeve të specializuara, shkëmbimit të njohurive profesionale, zhvillimit të programeve të formimit dhe krijimit të mundësive për praktika profesionale të studentëve.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Inspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula theksoi se profesionalizimi i trupës inspektuese është një nga themelet e reformës së inspektimeve, duke vënë në qendër kompetencën, integritetin, paanshmërinë dhe përgjegjshmërinë.
“Cilësia e një sistemi inspektimi fillon nga kompetenca dhe integriteti i njerëzve që e përfaqësojnë atë”, tha Sula.
Përmes këtij bashkëpunimi synohet ndërtimi i një sistemi inspektimi më profesional, transparent dhe efektiv, ku dija shkencore dhe ekspertiza kthehen në vlerë të drejtpërdrejtë për institucionet dhe qytetarët.
/Burimi ATSH