
“Pasqyrë Albania”, Kapllani: Qytetarët mundësi për të kontribuuar në nismat publike
Kryeministri Edi Rama, prezantoi sot funksionet e platformës “Pasqyra Albania”, të cilat synojnë të rrisin përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe transparencën për projektet me rëndësi të veçantë publike.

Kryeministri Edi Rama, prezantoi sot funksionet e platformës “Pasqyra Albania”, të cilat synojnë të rrisin përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe transparencën për projektet me rëndësi të veçantë publike.
Gjatë prezantimit, eksperti i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Saimir Kapllani, shpjegoi se një prej seksioneve të platformës lidhet me reformat dhe nismat prioritare të qeverisë.
Përmes këtij funksioni, qytetarët do të mund të informohen mbi qëllimin e çdo nisme, kategoritë përfituese, institucionet përgjegjëse dhe dokumentacionin e nevojshëm për t’u bërë pjesë e saj.
“Një seksion tjetër është seksioni i reformave dhe nismave prioritare me të cilën qytetarët njoftohen mbi të gjitha nismat dhe reformat e ndërmarra nga qeveria. Për secilën nismë qytetarët kanë mundësi, pasi klikojnë në nismë, të informohen mbi subjektet që përfitojnë nga nisma, cili është qëllimi i nismës, institucionet që janë të përfshira për dhënien e kësaj nisme e deri në dokumentacionin që duhet përmbushur për t’u bërë pjesë e nismës e deri në aplikimin, i cili të dërgon drejtpërdrejtë në “e-Albania” për të bërë një aplikim për të qenë pjesë e kësaj nisme. Shtylla tjetër është “Bashkëvendos”, ku qytetarët do kenë mundësi që në këtë shtyllë të japin kontributin e tyre për përmirësimin e iniciativave publike. Aktualisht ne e kemi të linkuar me Regjistrin e Konsultimeve Publike, që qytetarët të kenë mundësi të japin opinionin e tyre mbi çdo projekt, akt, që qeveria ka në fazë konsultimi publik”, tha ai.
Sipas Ramës, përmes këtij mekanizmi qytetarët do të kenë mundësi të njihen me informacionin mbi projektet dhe të verifikojnë të dhënat përballë informacioneve që qarkullojnë në media dhe kanale të ndryshme.
“Dhe këtu brenda “Pasqyrë Albania”-s kemi dhe “Flamingo Mirror” (Pasqyra e flamingos), që është një pjesë e dedikuar për projektet e rëndësisë së veçantë, për çështjet që marrin një vëmendje të veçantë publike në mënyrë që çdokush të ketë mundësi të shikojë me transparencë maksimale atë që nga ana tjetër dëgjon nga të gjithë kanalet edhe nga të gjitha burimet e dezinformimit në tërësi. Pra, është një pasqyrë kundër dezinformimit apo për mirinformimin”, tha Rama.
/Marrë nga ATSH


















