Ibrahimaj: Shqipëria 2030, lider dhe referencë për përdorimin e IA në administratën publike
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi se inteligjenca artificiale (IA) do të shtrihet në të gjitha hallkat e administratës publike, me synimin që Shqipëria deri në vitin 2030 të bëhet lider dhe referencë në përdorimin e kësaj teknologjie në sektorin publik.

Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Ibrahimaj bëri të ditur se prej disa muajsh ka nisur puna për integrimin e inteligjencës artificiale, jo vetëm në shërbimet ndaj qytetarëve dhe bizneseve, por edhe në proceset e brendshme të administratës shtetërore.
Ibrahimaj theksoi se puna ka nisur me dy komponentë të parë, që lidhen me hartimin e dokumenteve ligjore dhe përgatitjen e hapave për projektimin e buxhetit.
Sipas Ibrahimajt, synimi nuk është vetëm prodhimi i dokumenteve përmes inteligjencës artificiale, por krijimi i agjentëve që do të mbështesin proceset e politikëbërjes, duke shfrytëzuar të dhënat e administratës publike.
Ibrahimaj nënvizoi se kjo teknologji do të mundësojë edhe kryerjen e analizave të thelluara në kohë më të shkurtër, duke ndihmuar në rritjen e efikasitetit të administratës.
“Përdorimi në çdo hallkë të administratës publike i inteligjencës artificiale do të bëjë që ne të kemi një administratë më inteligjente dhe më eficiente”, tha Ibrahimaj.
Burimi ATSH