
Hyrja e Shkodrës po transformohet, pamje e re për qytetin
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga punimet për transformimin e hyrjes së qytetit të Shkodrës, ku projekti parashikon krijimin e hapësirave të reja rekreative, shëtitoreve, urave këmbësore dhe zonave të gjelbra.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga punimet për transformimin e hyrjes së qytetit të Shkodrës, ku projekti parashikon krijimin e hapësirave të reja rekreative, shëtitoreve, urave këmbësore dhe zonave të gjelbra.
“Hyrja e Shkodrës po transformohet dita-ditës. Shëtitore të reja, ura këmbësore dhe më shumë gjelbërim po i japin një pamje të re qytetit, duke krijuar hapësira moderne për qytetarët dhe vizitorët”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Projekti për hyrjen e Shkodrës, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe i mbështetur nga qeveria, synon transformimin e zonës në një hapësirë multifunksionale dhe rekreative.
Në kuadër të projektit parashikohet krijimi i një parku me sipërfaqe rreth 17-18 hektarë, i cili do të përfshijë mjedise sportive, shëtitore për këmbësorë dhe biçikleta, pika panoramike me pamje nga liqeni, si dhe hapësira për aktivitete të ndryshme dhe koncerte.
Pjesë e ndërhyrjes janë edhe ndërtimi i fushave të reja sportive dhe i një moli të ri, i cili do të lidhet me mole të tjera në Shirokë dhe Zogaj.
Projekti synon të krijojë më shumë hapësira publike për qytetarët dhe vizitorët, duke zgjeruar mundësitë për aktivitete sportive, rekreative dhe shëtitje në zonën e hyrjes së qytetit.
Burimi ATSH


















