
Rama: Bursa për studentët rritet me 15 mijë lekë të reja, të gatshëm për marrëveshje të re përmes dialogut
Kryeministri Edi Rama u drejtoi sot qytetarëve shqiptarë një mesazh mbi ecurinë e ekonomisë dhe zhvillimin e vendit, duke iu adresuar posaçërisht edhe studentëve.

Kryeministri Edi Rama u drejtoi sot qytetarëve shqiptarë një mesazh mbi ecurinë e ekonomisë dhe zhvillimin e vendit, duke iu adresuar posaçërisht edhe studentëve.
Rama njoftoi lajmin që vjen nga ekonomia e rritur, se për të gjithë studentët që vijnë nga familje në vështirësi ekonomike, bursa rritet me 15 mijë lekë të reja.
“Pra, u bëhet praktikisht sa gjysma e pagës minimale, 25 mijë lekë, dhe shtrihet edhe në nivelin master”, tha ai.
Ndërkohë, vijoi kreu i qeverisë, “në ligjin e ri për strehimin, që është tani në Parlament, kemi parashikuar lehtësime të tjera për studentët dhe çiftet e reja, që nga qiratë e bashkëfinancuara me qeverinë, deri te kreditë me zero ose me vetëm 3% interes, sipas kritereve dhe kushteve të përcaktuara nga ligji”.
Po kështu, theksoi Rama, “do të sjellim edhe një risi për praktikat dhe punësimin, duke vendosur kushte për biznesin që, sipas një formule të caktuar, të punësojë studentë me gjysmën e pagës minimale”.
Kryeministri po ashtu kundërshtoi presionin për pjesëmarrje në protesta dhe bojkotin e mësimit.
“Dua të them që në fillim se klima e terrorit e krijuar në mjediset e shkollës apo në celularët tuaj, nga një pakicë e dhunshme mbi shumicën, për të dalë në protesta apo për të mos bërë mësim, është e papranueshme”, u shpreh Rama.
Ai e cilësoi të papranueshëm edhe bojkotin e mësimit nga një pjesë e pedagogëve, duke theksuar se duhet bërë dallimi mes të drejtës për protestë dhe imponimit ndaj studentëve që duan të vijojnë mësimin.
“I papranueshëm është edhe bojkoti i mësimit nga një pjesë e pedagogëve, individë të politizuar që duan t’i përdorin studentët si mish për top dhe që nuk e bëjnë për herë të parë. Por për këtë të fundit do të flasim në vijim, pasi të konsultohemi edhe me Forumin e Rektorëve. Sepse tjetër gjë është liria dhe e drejta e kritikës, protestës apo grevës së ligjshme dhe tjetër gjë është arbitrariteti dhe imponimi mbi ata që duan të bëjnë mësim”, deklaroi kryeministri.
Rama renditi edhe masat që janë ndërmarrë në kuadër të Paktit për Universitetin.
Sipas tij, 60% ose 6 në 10 studentë sot përfitojnë të paktën një formë mbështetje të drejtpërdrejtë nga shteti, ndërsa 4 118 studentë marrin bursë për rezultate të larta në studime, 4 648 studentë të tjerë përfitojnë bursë si fëmijë familjesh në nevojë, 434 studentë të shkëlqyer marrin bursë në masën e pagës minimale mujore.
Ai tha gjithashtu se 10 152 studentë përjashtohen plotësisht nga tarifa universitare, ndërsa për 27 050 studentë të tjerë qeveria i mbulon 50% të tarifës së studimit.
Rama theksoi se, të gjitha këto tregojnë se tre të katërtat e financimit të universiteteve publike i mbulon qeveria.
“Për shembull, në universitetet më të prekura, ku një grup studentësh kanë lënë mësimin për javë të tëra dhe bllokojnë Rrugën e Durrësit, duke lënë pa punë të tjerët aty dhe duke penguar lëvizjen e shumë qytetarëve, tarifa e studimeve përfaqëson më pak se 20% të kostos për student”, tha Rama.
Ndërkohë, shtoi Rama, “kjo qeveri, përsëri, falë Paktit për Universitetin, mbulon më shumë se 80% të kostos së studimit për studentët e Mjekësisë, pa llogaritur këtu studentët që përfitojnë nga përjashtimet ose përgjysmimi i tarifës”.
Rama rikujtoi se, “qeveria injekton para nga kontributet, pikërisht nga bizneset në Rrugën e Durrësit, që rrinë të mbyllura nga terrori i gurëve; nga ata të tjerë që qarkullojnë mallrat dhe shërbimet në Rrugën e bllokuar të Durrësit, si dhe nga të gjithë qytetarët dhe bizneset e Tiranës, e Shqipërisë, që në këtë valë dhune dhe anarkie kanë humbur qetësinë dhe kanë punuar dhe prodhuar më pak të ardhura”.
Po ashtu, shtoi Rama, “në Tiranë, tarifat që paguajnë studentët për konviktet mbulojnë më pak se një të tretën e kostos vjetore, pa llogaritur këtu investimet që janë bërë dhe që do të vazhdojnë të bëhen për të rritur kapacitetet dhe cilësinë e konvikteve”.
Kryeministri u shpreh se, “janë tani në dispozicion, të negociuara dhe të miratuara prej disa kohësh, 100 milionë euro të tjera për konviktet”.
“Sepse Pakti për Universitetin nuk është një postim në Instagram apo në TikTok. As një platformë e harruar elektorale e atyre partive që premtojnë qëllime fluturuese, sepse e dinë që nuk do të fluturojnë asnjëherë deri në majë”, tha Rama.
“Pakti është marrëveshja jonë me universitetin dhe studentët e vitit 2018, falë së cilës po përfitoni edhe ju sot”, tha Rama.
Rama u shpreh se qeveria është e gatshme ta rishikojë paktin dhe të lidhi një marrëveshje të re me studentët.
“Unë jam gjithmonë në dispozicion, në vendin dhe në kohën që mund të caktoni ju vetë”, tha Rama.
Marrë nga ATSH


















