
Kumbaro: Nis puna për godinën e Liceut Francez të Korçës, shkollë ekselence dedikuar teknologjisë
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur lajmin e miratimit të projektligjit nga qeveria.

Nis puna për ngritjen e Liceut Francez të Korçës, një shkollë e veçantë ekselence, ku historia e dijes, shkenca dhe tri gjuhë do të bashkohen në një kampus të ri.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur lajmin e miratimit të projektligjit nga qeveria.
“Qeveria ka miratuar projektligjin për ndërtimin e Liceut Francez të Korçës, për krijimin e një institucioni të ri në arsimin parauniversitar. Kemi dëgjuar shpesh të flitet për Liceun Francez, edhe në historinë e arsimit shqiptar, por kësaj here flasim për një shkollë të re, e cila do të dalë me një diplomë të përbashkët, si për maturën shqiptare, ashtu edhe për atë franceze, falë një marrëveshjeje mes dy qeverive tona, iniciativës së përbashkët të Presidentit Macron dhe Kryeministrit Edi Rama”, tha ajo.
Kumbaro theksoi se “Ministria e Arsimit prej dy vitesh ka punuar shumë fort, janë përgatitur të gjitha kurrikulat e përafruara, për një lice francez me orientim shkencor”.
Duke treguar risitë e kësaj shkolle, Kumbaro tha se bëhet fjalë për një shkollë publike, falas për nxënësit shqiptarë. Projekti i ri sapo ka nisur në Korçë së bashku me klasat e reja, bibliotekën, laboratorët, mensën.
“Është falas për fëmijët shqiptarë, por e hapur edhe për nxënës nga rajoni”, u shpreh ajo.
Liceu Francez i Korçës do të jetë një gjimnaz me orientim shkencor, në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe frëngjisht.
Ministrja e Arsimit, në komunikimin e saj, u shpreh se ligji parashikon kurrikula të njehsuara me ato të Francës, si edhe mësimdhënie nga mësues francezë, përkrah mësuesve shqiptarë për lëndët që zhvillohen në shqip, si gjuha shqipe, letërsia, historia e Shqipërisë.
Burimi ATSH

















