
Gonxhja: Nuk ekziston asnjë PPP mes meje dhe aktiviteteve të familjes me kompaninë MobAL
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja reagoi sot ndaj një lajmi të publikuar në media lidhur me kompaninë “MobAL”, duke e cilësuar atë si të pavërtetë dhe shpifës

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja reagoi sot ndaj një lajmi të publikuar në media lidhur me kompaninë “MobAL”, duke e cilësuar atë si të pavërtetë dhe shpifës.
Përmes një reagimi publik, Gonxhja thekson se disa portale përhapin qëllimisht dezinformim, me synimin për të nxitur urrejtje, për të dëmtuar figurën e përfaqësuesve të qeverisë dhe për të minuar besimin e publikut te deputetët dhe ministrat.
“Fake news! Në fakt lajme të një niveli shpifjeje e banaliteti që të vjen dhe zor t’u kushtosh kohë a hapësirë postimi, por fatkeqësisht këtë epokë jetojmë! Portale palaço që fyejnë publikun duke e keqinformuar qëllimisht, për të nxitur urrejtje, për të baltosur ç’t’u dalë para, duke njollosur këdo që u bën punë për planin neveritës të poshtërimit të qeverisjes dhe minimit të besimit tek deputete e ministra pa asnjë bazë! Nxi, vill vrer dhe gënje mbi dikë që të përhapësh negativitet e që të fabrikosh pakënaqësi tek popullata që konsumon këto burime të ndyra spekulative!”, shkruan ai.
Sipas tij, “nuk ekziston asgjë e tillë mbi një PPP apo kurrëfarë lidhje mes meje dhe aktiviteteve të familjes me kompaninë MobAL!”.
Burimi ATSH


















