
Tirana Economic Forum

Në vijimësi të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi dhe Delphi Economic Forum, Presidenti i DEF, z. Simeon Tsomokos, i shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, zhvilloi një vizitë pune në Tiranë në kuadër të përgatitjeve për Tirana Economic Forum, një aktivitet satelit i DEF.
Sipas ambasadës shqiptare në Greqi, Gjatë vizitës, z. Tsomokos zhvilloi takime me përfaqësues të Kryeministrisë, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, si dhe me përfaqësues të biznesit shqiptar dhe grek.
“Takimet u fokusuan në mundësitë e bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, si dhe në nxitjen e dialogut ndërmjet sektorit publik dhe privat, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit evropian të Shqipërisë.
Tirana Economic Forum do të trajtojë çështje me rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe Evropën Juglindore, përfshirë sigurinë rajonale dhe energjetike, integrimin evropian, investimet e huaja, zhvillimin ekonomik, transformimin urban, inovacionin dhe inteligjencën artificiale, turizmin e qëndrueshëm dhe politikat e migracionit.
Forumi përbën një platformë të rëndësishme për forcimin e dialogut dypalësh Shqipëri–Greqi dhe bashkëpunimit rajonal, duke krijuar mundësi për partneritete të reja, shkëmbim përvojash dhe identifikim të mundësive konkrete për investime në Shqipëri dhe rajon.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi do të vijojë të mbështesë këtë nismë, si një instrument për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe institucionale ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore.
Ftojmë sipërmarrësit shqiptarë dhe grekë, si dhe përfaqësuesit e sektorit publik dhe privat, të bëhen pjesë e Tirana Economic Forum për të shkëmbyer ide, për të ndërtuar partneritete dhe për të eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi dhe investimi”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
🔗 Më shumë informacion
https://www.tiranaforum.com/


















