Ambasadori Bushati, takim në Departamentin Amerikan të Energjisë, Dan Byers
Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, zhvilloi një takim në Departamentin Amerikan të Energjisë, ku takoi Dan Byers, Zëvendësndihmës Sekretar për Evropën, Euroazinë, Afrikën dhe Lindjen e Mesme, me fokus forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e energjisë.

Në një kohë kur siguria energjetike, diversifikimi i burimeve dhe infrastruktura e qëndrueshme po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik, Shqipëria synon që dimensioni energjetik të bëhet një komponent edhe më i fortë i partneritetit të saj strategjik me Shtetet e Bashkuara.
“Diskutuam mbi krijimin e një dialogu të rregullt dhe konkret me Departamentin Amerikan të Energjisë, mundësitë për më shumë investime, teknologji dhe ekspertizë amerikane, forcimin e rrjetit dhe infrastrukturës energjetike, si dhe perspektivat e bashkëpunimit në fusha të reja që lidhin energjinë, teknologjinë dhe inteligjencën artificiale (AI).
Shtetet e Bashkuara mbeten partneri kryesor strategjik i Shqipërisë. Synimi ynë është që këtë marrëdhënie të fortë politike dhe të sigurisë ta përkthejmë gjithnjë e më shumë në projekte konkrete, investime dhe bashkëpunim ekonomik e teknologjik”, shkruan ambasadori Bushati në rrjetet sociale.