
Karakaçi: Hekurudha Tiranë-Durrës-Aeroport drejt përfundimit, elektrifikimi mbyllet brenda 2027
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi tha sot se projekti Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit është pjesë e një vizioni të gjerë për rivitalizimin dhe modernizimin e sektorit hekurudhor, dhe për ta kthyer hekurudhën shqiptare në një komponent funksional të sistemit kombëtar të transportit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi tha sot se projekti Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit është pjesë e një vizioni të gjerë për rivitalizimin dhe modernizimin e sektorit hekurudhor, dhe për ta kthyer hekurudhën shqiptare në një komponent funksional të sistemit kombëtar të transportit.
Gjatë takimit konsultativ me përfaqësues të kompanive të mëdha ndërkombëtare për Kontratën e Shërbimit Publik për transportin hekurudhor të udhëtarëve në linjën Tiranë–Durrës–Aeroporti i Rinasit, ministri Karakaçi tha se “ky projekt përfshin rehabilitimin e linjës ekzistuese, lidhjen e re me aeroportin, ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin e tyre”.
“Punimet për rehabilitimin dhe stacionet tashme janë drejt përfundimit dhe komponenti i fundit i këtij projekti, elektrifikimi, parashikohet që të mbyllet brenda vitit 2027”, tha ai.
Më tej Karakaçi tha se “në sektorin hekurudhor kemi pasur shpesh shumë mangësi, në pjesën më të madhe sigurisht të trashëguara, por edhe për shkak të vështirësive që lidhen kryesisht me mundësitë e financimit të një sektori, që në gjitha botën kërkon fonde shumë të mëdha”.
“Gjithsesi vitet e fundit kanë shënuar një ndryshim rrënjësor edhe në këtë sektor. Shqipëria është duke ndërtuar një program të gjerë investimesh që synon të rikthejë dhe modernizojë rrjetin hekurudhor, duke e integruar gradualisht me rrjetet rajonale dhe evropiane”, theksoi Karakaçi.
Duke folur për Kontratën e Shërbimit Publik për korridorin e parë Tiranë-Aeroport-Durrës Karakaçi tha se ajo synon të krijojë kuadrin kontraktual për ofrimin e shërbimit të transportit hekurudhor të udhëtarëve, duke përcaktuar qartë detyrimin e shërbimit publik, standardet e shërbimit, përgjegjësinë e operatorit dhe mekanizmin e kompensimit.
“Ky është një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën se si e konceptojmë transportin hekurudhor. Shteti përcakton tashmë nevojën dhe standardin e shërbimit publik, ndërsa përmes një procedure konkurruese kërkohet nga tregu të gjendet zgjidhja më e përshtatshme për operimin e këtij shërbimi. Kontrata duhet të përcaktojë qartë elementet kryesore të shërbimit: volumin e shërbimit dhe train-kilometrat, oraret, mjetet lëvizëse, modelin e pronësisë ose të leasing-ut dhe financimin, mirëmbajtjen, përdorimin e depos në Shkozet, periudhën e mobilizimit, kohëzgjatjen e kontratës, mekanizmin e kompensimit dhe indeksimit, trajtimin e të ardhurave nga biletat dhe regjimin e performancës KPI-ve”, nënvizoi ministri Karakaçi.
Sipas tij, një aspekt i veçantë sigurisht është edhe performanca.
“Ne nuk duam thjesht një operator që të kryejë kilometra hekurudhorë. Duam një shërbim që të jetë i matshëm dhe i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, në kohë, i sigurt, i besueshëm, i mirëmbajtur dhe me një cilësi të përcaktuar qartë. Procedura që po përgatitim duhet të garantojë njëkohësisht edhe konkurrencën, transparencën dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të marrë nga tregu zgjidhjet më të mira. Një partneritet i ri me sektorin privat”, tha ai.
Ky proces, vijoi Karakaçi, duhet gjithashtu të sjellë edhe ekspertizën dhe përvojën e operatorëve ndërkombëtarë dhe privatë në sistemin tonë hekurudhor.
“Konsultimi me tregun, që ne po bëjmë sot, ka një rol të rëndësishëm pikërisht për këtë arsye. Nuk kërkojmë vetëm të dimë nëse ka interes për të operuar shërbimin. Duam të kuptojmë se cilat janë zgjidhjet reale të tregut për mjetet lëvizëse, financimin, mirëmbajtjen dhe mobilizimin e shërbimit. Në këtë kuadër, synimi ynë është që përvoja e operatorit të kontribuojë edhe në zhvillimin e kapaciteteve vendase dhe transferimin e njohurive, duke përfshirë personelin e Hekurudhës Shqiptare dhe veçanërisht kapacitetet e mirëmbajtjes”, tha ai.
Ministri Karakaçi bëri të ditur se “Shqipëria është në një fazë të re për hekurudhën. Po investojmë në infrastrukturë, po rehabilitojmë korridoret ekzistuese, po përgatisim elektrifikimin dhe sistemet moderne të sinjalizimit, po lidhim hekurudhën me aeroportet dhe portet, po rikthejmë lidhjet ndërkombëtare. Por mbi të gjitha, po punojmë që këto investime të kthehen në shërbime konkrete për qytetarët”.
“Kontrata e Shërbimit Publik për Tiranë-Durrës-Aeroport është një nga hapat kryesorë në këtë drejtim. Ajo duhet të jetë ura ndërmjet infrastrukturës së re që po ndërtojmë dhe shërbimit modern që qytetarët presin. Dhe për ta arritur këtë objektiv, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shqiptare, partnerëve tanë evropianë dhe financiarë, që përsëri dua ti falënderoj, EBRD, EIB dhe të gjithë konsulentët e Bashkimit Europian që kanë asistuar Hekurudhën Shqiptare në këtë proces dhe tashmë edhe me përfshirjen e sektorit privat është thelbësor”, tha ministri Karakaçi.
Burimi ATSH



















