
Inaugurohet Muzeu Arkivor, Rrokaj: Një tempull i dokumenteve
Një hapësirë e re muzeale i është shtuar sot Tiranës: Muzeu Arkivor, i inauguruar në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, me synimin për ta sjellë historinë dhe trashëgiminë dokumentare më pranë publikut, veçanërisht brezit të ri.

Një hapësirë e re muzeale i është shtuar sot Tiranës: Muzeu Arkivor, i inauguruar në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, me synimin për ta sjellë historinë dhe trashëgiminë dokumentare më pranë publikut, veçanërisht brezit të ri.
Ndryshe nga një muze tradicional, Muzeu Arkivor është konceptuar si një muze i dokumenteve, ku historia rrëfehet përmes dëshmive të shkruara, fotografive, hartave, botimeve, dorëshkrimeve dhe materialeve që kanë shoqëruar jetën e shoqërisë shqiptare ndër vite.
Në sallat e muzeut vizitori mund të shohë nga afër dokumente dhe materiale të rralla, ndërsa ekspozimi krijon një rrëfim që nis nga dokumentet e hershme dhe vijon përmes zhvillimeve të ndryshme të jetës shoqërore, kulturore dhe institucionale në Shqipëri.
“Ky është një muze arkivor, nuk është një muze i arkivit. Nuk është si muzetë e tjerë, një muze i institucionit apo i një fushe veprimtarie të caktuar. Është muze i dokumenteve”, tha drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Auron Rrokaj, gjatë ceremonisë së inaugurimit.
Sipas tij, muzeu ndjek edhe ciklin e jetës së njeriut përmes dokumenteve që shoqëria prodhon, nga lindja deri në vdekje, duke e kthyer dokumentin në një mënyrë për të kuptuar historinë.
Në vitrinat dhe panelet e muzeut shfaqen dokumente të vjetra, fotografi historike, botime, revista, materiale administrative, dorëshkrime dhe dëshmi që lidhen me zhvillime të ndryshme të jetës publike e shoqërore.
Muzeu është konceptuar edhe si një hapësirë ndërvepruese, ku krahas dokumenteve fizike përdoren elemente digjitale, holograme, kuice dhe forma të tjera moderne të komunikimit me publikun.
“Prandaj muzeu është jo vetëm shkresor, por edhe digjital, me holograme, kuice dhe ndërveprime. Të rinjve do t’u pëlqejë shumë. Dhe kjo është një thirrje për të rinjtë: të vijnë të shohin muzeun, sepse ashtu do të rigjejnë dashurinë për letrën”, u shpreh Rrokaj.
Hapja e muzeut vjen në një periudhë transformimi për Arkivin e Shtetit, veçanërisht në drejtim të kushteve të ruajtjes, administrimit dhe digjitalizimit të fondeve.
Përmes ekspozitave dhe teknologjisë, Muzeu Arkivor synon të ndryshojë edhe mënyrën se si publiku e percepton arkivin, jo thjesht si një vend ku ruhen dokumente, por si një hapësirë ku historia mund të shihet, lexohet dhe përjetohet.
“Ky është një tempull i dokumenteve”, shtoi drejtori i DPA-së, Rrokaj.
Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, i cili vlerësoi organizimin modern të arkivave dhe përshtatjen e tyre me kërkesat e kohës.
Me hapjen e tij, Muzeu Arkivor bëhet një nga hapësirat më të reja muzeale në Tiranë, duke sjellë në një formë të re një pjesë të historisë së vendit: jo përmes objekteve të zakonshme muzeale, por përmes gjurmëve autentike që kanë mbetur në letër, në fotografi, në harta dhe në dokumente.
Burimi ATSH



















