
Shqipëria do të mikpresë Konferencën e 14-të të SEENL në vitin 2027
Një vlerësim për rolin e BKSH-së brenda rrjetit të bibliotekave kombëtare të Evropës Juglindore

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë mori pjesë në Konferencën e 13-të Vjetore të Bibliotekave Kombëtare të Evropës Juglindore – SEENL, zhvilluar me mikpritjen e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
“Konferenca e këtij viti iu kushtua një prej sfidave më aktuale për institucionet e kujtesës dhe dijes: integrimit të Inteligjencës Artificiale në shërbimet bibliotekare. Në këtë kuadër, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë prezantoi qasjen e saj mbi përdorimin e AI-së si një instrument në shërbim të bibliotekarit, të kërkimit shkencor, të përpunimit bibliografik dhe të aksesit më të gjerë në trashëgiminë dokumentare“, shkruhet në postimin e Bibliotekës Kombëtare, në postimin e saj në rrjetet sociale.
Takimi solli së bashku drejtuesit e bibliotekave kombëtare të Evropës Juglindore, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, diskutimin e sfidave të përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal. SEENL mbetet një forum i rëndësishëm për bashkëpunimin profesional ndërmjet bibliotekave kombëtare të rajonit.
Një lajm veçanërisht i rëndësishëm për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë erdhi gjatë Takimit të Drejtorëve të SEENL: me votim të hapur dhe unanim, u vendos që Konferenca e 14-të Vjetore e SEENL, në vitin 2027, të zhvillohet në Shqipëri, me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë si institucion mikpritës.
Ky vendim është një vlerësim për rolin e BKSH-së brenda rrjetit të bibliotekave kombëtare të Evropës Juglindore, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi e rëndësishme për të krijuar në Tiranë një tjetër hapësirë të dialogut profesional, bashkëpunimit dhe vizionit të përbashkët për të ardhmen e bibliotekave.
Nga Prishtina 2026, drejt Tiranës 2027!



















