
Rama: Përgjegjësia ime politike që reforma në drejtësi të mos ndalet
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përgjegjësia politike nuk mund të lidhet me veprimet individuale të personave të emëruar, por me vijimin e reformës në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se përgjegjësia politike nuk mund të lidhet me veprimet individuale të personave të emëruar, por me vijimin e reformës në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen, Rama u pyet nga gazetarët nëse ndien përgjegjësi politike për emërimet e bëra, si në rastin e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Kryeministri theksoi se përgjegjësia politike është një avaz i përsëritur në mjedisin e diskutimit publik.
“Unë nuk pretendoj t’ju ndryshoj kuptimin që keni për përgjegjësinë politike. Për mua, përgjegjësia politike është një: që reforma në drejtësi të mos ndalet, që lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha veprimeve që bien ndesh me ligjin të zhvillohet gjithmonë e më shumë si një mision i sistemit”, u shpreh Kryeministri.
Rama theksoi se kjo mazhorancë ndërmori përpjekjen transformuese dhe bëri Reformën në Drejtësi.
“Ne kemi qenë këtu kur ato që shohim sot as nuk mund të imagjinoheshin. Kjo ka ndodhur vetëm pasi ndërmorëm përpjekjen transformuese dhe bëmë reformën në drejtësi. Nëse pyetja juaj nënkupton se për përgjegjësitë individuale duhet të përgjigjemi si në komunizëm, unë them se atë sistem e kemi lënë pas. Nëse mendoni se, sapo bëhet një emërim, lind automatikisht përgjegjësia e atij që emëron për çdo gabim që mund të bëjë më vonë i emëruari, atëherë kjo është një mënyrë e të parit të gjërave që i përket komunizmit”, shtoi Rama.
Rama tha se “në demokraci ne kemi detyrë të përcaktojmë objektivat, të tregojmë çfarë duam të bëjmë me mbështetjen dhe fondet që mblidhen nga taksat dhe të japim llogari për mënyrën se si qeverisim”.
“Ata që tradhtojnë qëllimin e përbashkët duhet të përballen me pasojat përmes sistemit të pavarur gjyqësor”, u shpreh Kryeministri.
Rama solli në vëmendje rastin e Francës, ku ministri i Drejtësisë u akuzua për pedofili, por nuk u largua nga detyra dhe presidenti francez nuk mori asnjë përgjegjësi politike.
“Në fund, procesi e nxori ministrin të pafajshëm dhe ai vazhdon të jetë në detyrë. Këto janë qasje që secili vend i ndjek sipas sistemit të vet. Askush nuk merret në mbrojtje kur vjen puna për t’u përballur me pasojat e një veprimi që hyn në sferën e hetimit apo të gjykimit të pavarur”, tha Rama.
/Marrë nga ATSH


















