
Java Europiane e Sportit, Gonxhja: Më shumë hapësira dhe aktivitete sportive në lagje
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë në aktivitetin “Java Europiane e Sportit, Be Active Live nga Parku i Artit”

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë në aktivitetin “Java Europiane e Sportit, Be Active Live nga Parku i Artit”, ku theksoi rëndësinë e krijimit të më shumë hapësirave dhe aktiviteteve sportive në lagje.
Në fjalën e tij, Gonxhja falënderoi pjesëmarrësit, duke u shprehur se aktiviteti synon të sjellë një atmosferë të re në komunitet, përtej argëtimit.
“Ne donim që të na vinit jo vetëm si miq në oborrin e shtëpisë sonë të re, që është pas jush selia e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ku aty brenda ka dhe departament sporti që po punon që të bëjë punë sa më të mira për vepra, infrastrukturë, por edhe aktivitete sociale”, tha ai.
Gonxhja theksoi se aktivitetet sportive duhet të shërbejnë edhe për të gjallëruar hapësirat e komunitetit dhe për të krijuar më shumë mundësi për qytetarët në zonat ku jetojnë.
“Jo vetëm të argëtoheshim, por edhe t’i jepnim kësaj lagjeje ku ne jemi sot një atmosferë që mungon”, u shpreh ministri.
Ai nënvizoi nevojën për më shumë hapësira dhe aktivitete në lagje, duke argumentuar se jeta sociale dhe sportive nuk duhet të përqendrohet vetëm në qendër.
“Ne duhet patjetër të luftojmë që të kemi më shumë hapësira, të kemi më shumë atmosferë në lagje dhe t’i ikim qendrës”, tha Gonxhja.
/Burimi ATSH



















