
Akademiku Luan Omari nderohet me “Yllin e Artë të Veteranit”
Akademiku Luan Omari u nderua në 101-vjetorin e lindjes me titullin “Ylli i Artë i Veteranit”.

Akademiku Luan Omari u nderua në 101-vjetorin e lindjes me titullin “Ylli i Artë i Veteranit”.
Veprimtaria ne nder të tij, e zhvilluar në Akademinë e Shkencave u çel me një këngë kushtuar Luan Omarit nga “Thesaret labe”. Personalitete të botës akademike, juristë, veteranë dhe ish-studentë u mblodhën për të vlerësuar një prej emrave më të spikatur të shkencës juridike shqiptare. Gjatë ceremonisë, akademikut iu akordua titulli i lartë “Ylli i Artë i Veteranit të LANÇ-it”, si vlerësim për pjesëmarrjen e tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e së drejtës dhe arsimit.
Avokati Idajet Beqiri ishte organizator i kësaj veprimtarie, ku dekorata iu dorëzua të bijës së akademikut, Anila Omarit.
Për dekada me radhë profesor Omari drejtoi Fakultetin e Drejtësisë, dha mësim në Universitetin e Tiranës dhe përfaqësoi Shqipërinë në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës. Të pranishmit e cilësuan akademikun Omari si një model të integritetit profesional dhe qytetar.
I lindur në Gjirokastër, arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa diplomën e maturës e mori në gjimnazin italian të Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua për shkencat juridike, duke u bërë një nga juristët më të përgatitur të brezit të tij. Ai është ndër të paktët akademikë shqiptarë që ka kaluar një shekull jetë dhe njëherazi i fundit nga themeluesit e Akademisë së Shkencave që mbetet gjallë, që prej vitit 1972 kur u ngrit ky institucion. Për kontributin e tij, Akademia e Shkencave e ka nderuar me Çmimin e Karrierës Akademike në vitin 2016, ndërsa në vitin 2020 Presidenti i Republikës i dha Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Burimi ATSH



















