
Turizmi, Balla: Motor kryesor i ekonomisë, sot presim mbi 12 milionë vizitorë në vit
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla dhe ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me operatorët turistikë në zonën e Golemit, ku u diskutua mbi ecurinë dhe pritshmëritë për sezonin turistik 2026.

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla dhe ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me operatorët turistikë në zonën e Golemit, ku u diskutua mbi ecurinë dhe pritshmëritë për sezonin turistik 2026.
Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se Shqipëria është kthyer tashmë në një destinacion të rëndësishëm turistik ndërkombëtar, duke kaluar nga rreth 2 milionë turistë disa vite më parë në mbi 12 milionë vizitorë në vitet e fundit. Balla thekson se turizmi është shndërruar në motorin kryesor të ekonomisë së vendit.
Balla u ndal edhe tek pritshmëritë për sezonin e ri turistik, duke theksuar se të dhënat paraprake tregojnë për një ecuri shumë pozitive.
“Jemi në një moment të rëndësishëm. Kemi përpara një sezon turistik ndaj të cilit të dhënat paraprake flasin për një rritje të numrit të prenotimeve, në masën mbi 60%. Sezoni 2026 duket se do të ketë një rritje shumë të mirë”, deklaroi Balla.
Megjithatë, Balla ngriti shqetësimin për gjendjen infrastrukturore në Golem, duke e cilësuar situatën si kaotike në disa zona.
Ai bëri thirrje për një aksion të menjëhershëm pastrimi dhe sistemimi, duke theksuar se dy javët e mbetura deri më 1 maj duhet të shfrytëzohen për një ndërhyrje rrënjësore në territor. Balla u shpreh se ky duhet të jetë një angazhim i përbashkët mes bizneseve dhe institucioneve vendore.
Në këtë kuadër, Balal ftoi Bashkinë e Kavajës të bashkëpunojë për përmirësimin e infrastrukturës, përfshirë vijëzimin e rrugëve dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike. Megjithatë, ai theksoi se edhe në mungesë të këtij bashkëpunimi, bizneset dhe strukturat përkatëse do të ndërmarrin vetë hapat e nevojshëm për të garantuar një sezon turistik të suksesshëm.
Takimi u fokusua gjithashtu në rëndësinë e standardeve të shërbimit dhe bashkëpunimit me operatorët ndërkombëtarë, me synimin për ta konsoliduar më tej imazhin e Shqipërisë si një destinacion cilësor dhe konkurrues në rajon.
Burimi ATSH



















