Besimtarët ortodoksë marrin dritën e Pashkës në meshën e mbajtur në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”
“Ejani merrni dritë nga drita që nuk perëndon”, kjo thirrje mblodhi besimtarët në meshën e mesnatës në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” për një nga shërbesat më të rëndësishme dhe më solemne të kalendarit të krishterë ortodoks, atë të Pashkës.

Ringjallja e Krishtit u prit me një atmosferë ngazëllimi nga një numër i madh besimtarësh të cilët si çdo vit iu drejtuan katedrales me qirinj në duar, për t’i ndezur në kishë, duke e marrë me vete dritën e Perëndisë, në shtëpitë e tyre.
Besimtarët qëndruan në pritje duke dëgjuar himne të ndryshme, deri sa mbërriti momenti për të marrë dritë nga qiriu që mbante kryepeshkopi Joan.
“Ngjallja na zbulon një të vërtetë të madhe: kush ka Krishtin në zemrën e tij, nuk i mungon asgjë. Dhe jo vetëm shpirtërisht”, tha kryepeshkop Joani, duke ftuar të bëhemi ne vetë paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja, nga lakmia dhe egoizmi.
Në mesnatë, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani, bëri shpalljen: “Krishti u ngjall!” dhe në katedrale nisi himni i veçantë “Krishti u ngjall prej së vdekurish”.
Pas këtij momenti e ne vazhdim të ditës së diel, besimtarët ortodoksë urojnë njëri-tjetrin me fjalët “Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall!”.
Burimi ATSH