
Shabani takon kreun e Kushtetueses së Kosovës: Vendimmarrjet tuaja, model për funksionimin e shtetit ligjor
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Prishtinë, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Endrit Shabani u prit, gjatë vizitës zyrtare, nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Prishtinë, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Endrit Shabani u prit, gjatë vizitës zyrtare, nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi.
Në qendër të këtij takimi ishte diskutimi mbi rëndësinë e kontrollit kushtetues dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Shabani vuri theksin tek roli thelbësor që ka bashkëveprimi mes institucioneve të të drejtave të njeriut dhe atyre të drejtësisë kushtetuese, si garancia e fundit për mbrojtjen e shtetit të së drejtës.
Avokati i Popullit i Shqipërisë vlerësoi veçanërisht rolin e rëndësishëm që Gjykata Kushtetuese ka luajtur në ruajtjen e balancave kushtetuese në Kosovë.
Në cilësinë e presidentit të Organizatës së Avokatëve të Popullit të Mesdheut (AOM), Shabani theksoi se “vendimmarrjet e gjykatës për mbrojtjen e ekuilibrit mes pushteteve kanë treguar një standard të lartë pavarësie, duke shërbyer si një model pozitiv për të gjithë rajonin”.
Ky takim rikonfirmon angazhimin e Avokatit të Popullit për të thelluar bashkëpunimin me synim mbrojtjen e të drejtave të njeriut edhe në çështjet ndërkufitare të cilat përfshijnë institucionet e të dyja shteteve.
Burimi ATSH



















