
Sula: Digjitalizimi, kyç për transparencën dhe efikasitetin e inspektimeve
Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula përmbylli sot ciklin e takimeve me inspektoratet e varësisë, duke vendosur mesazhet finale dhe hapat e ardhshëm për zbatimin e Reformës së Inspektimeve.

Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula përmbylli sot ciklin e takimeve me inspektoratet e varësisë, duke vendosur mesazhet finale dhe hapat e ardhshëm për zbatimin e Reformës së Inspektimeve.
Takimi u zhvillua me pjesëmarrjen e AKB, AKM, DSHPA, AKVMB, AKAP, AKSEM, ISHTI dhe AKZM, dhe shënoi përfundimin e retreat-it të organizuar për koordinimin dhe harmonizimin e proceseve të inspektimit.
Në fjalën e hapjes, Sula vlerësoi kontributin e institucioneve pjesëmarrëse dhe nënvizoi rëndësinë e unifikimit të praktikave të inspektimit, standardizimit të proceseve të kontrollit dhe gjurmueshmërisë së veprimeve për të garantuar trajtim të barabartë dhe procedura të qarta për qytetarët dhe bizneset.
“Përmirësimi i standardeve dhe mbrojtja e konsumatorëve thelbësor për përmbushjen e kushteve të BE. Reforma e sistemit të inspektimit, e rëndësishme për burime njerëzore cilësore dhe për të forcuar kontrollin e standardeve në vend. Kur sistemi i inspektimit funksionon mirë, rritet besimi të institucionet, garantohet siguria dhe mbrohen të drejtat e qytetarëve. Kur nuk funksionon sistemi sipas standardeve, dëmtohet besimi, krijohet hapësira për informalitet, abuzim dhe rrezik për interesin publik. Kjo vendos përgjegjësi mbi ne si trupë inspektuese”, tha Sula.
Gjatë tryezës u diskutuan drejtimet kryesore të fazës së ardhshme, duke përfshirë konsolidimin e standardeve të inspektimit, harmonizimin e kalendarizimit të kontrolleve sipas riskut, forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe vendosjen e mekanizmave të monitorimit dhe raportimit periodik.
Një element kyç i diskutimit ishte digjitalizimi i proceseve të inspektimit, që siguron transparencë maksimale dhe gjurmueshmëri të veprimeve, redukton barrën administrative dhe rrit efektivitetin në terren.
Takimi u mbyll me konfirmimin e hapave të radhës për zbatimin e Reformës së Inspektimeve: planifikim të bashkërenduar, unifikim të praktikave, përmirësim të shkëmbimit të informacionit dhe rritje të standardit të shërbimit ndaj publikut. Inspektori i Përgjithshëm ritheksoi angazhimin për vijimin e bashkëpunimit me inspektoratet dhe strukturat rajonale, me qëllim që reforma të përkthehet në rezultate konkrete për qytetarët dhe bizneset në të gjithë vendin.
Marrë nga ATSH



















