
Hoxha: Shqipëria, aleate e përkushtuar dhe e besueshme e NATO-s
Shqipëria shënon sot 17-vjetorin e anëtarësimit në NATO, një moment historik që shënoi konsolidimin e kursit euroatlantik dhe forcimin e sigurisë kombëtare.

Shqipëria shënon sot 17-vjetorin e anëtarësimit në NATO, një moment historik që shënoi konsolidimin e kursit euroatlantik dhe forcimin e sigurisë kombëtare.
Në një postim në rrjetin social X, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vlerësoi këtë përvjetor si një hap vendimtar drejt së ardhmes së vendit, duke theksuar se që prej anëtarësimit, Shqipëria ka dëshmuar se është një aleate e përkushtuar dhe e besueshme.
Sipas Hoxhës, vendi ka kontribuar në mënyrë aktive në misionet dhe operacionet e NATO-s, ndërsa ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Ai nënvizoi se, Shqipëria është tashmë e harmonizuar plotësisht me prioritetet në zhvillim të Aleancës, duke përfshirë ndarjen e drejtë të përgjegjësive, rritjen e investimeve në mbrojtje, forcimin e qëndrueshmërisë dhe përqafimin e inovacionit dhe teknologjive të reja në një mjedis sigurie gjithnjë e më kompleks.
Duke parë drejt së ardhmes, Hoxha bëri të ditur se, Shqipëria po përgatitet të presë për herë të parë një Samit të NATO-s në rajon, një zhvillim që sipas tij reflekton besimin në rolin dhe kontributin e vendit brenda Aleancës.
Në përfundim, ai theksoi se, Shqipëria mbetet e palëkundur në angazhimin e saj ndaj mbrojtjes kolektive, paqes, lirisë dhe vlerave të përbashkëta me aleatët.
Burimi ATSH



















