
Marrëveshje trepalëshe për avancimin e kërkimit dhe standardeve në sektorin ushqimor
Marrëveshja u nënshkrua nga drejtoresha e AKU-së, Blerina Gjylameti, rektori i UBT-së, Fatbardh Sallaku dhe drejtori i AKVMB-së, Roland Meçaj.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) nënshkruan sot në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim promovimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale të studentëve dhe personelit akademik.
Marrëveshja u nënshkrua nga drejtoresha e AKU-së, Blerina Gjylameti, rektori i UBT-së, Fatbardh Sallaku dhe drejtori i AKVMB-së, Roland Meçaj.
Në këtë nismë palët angazhohen të mundësojnë shkëmbimin e njohurive, eksperiencave dhe burimeve njerëzore, duke përfshirë studentët dhe stafin akademik në projekte konkrete dhe praktika profesionale.
Marrëveshja synon gjithashtu forcimin e rolit të institucioneve në garantimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe bimëve, si dhe përmbushjen e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Gjylameti tha se, “ky bashkëpunim synon të krijojë një urë lidhëse midis arsimit të lartë dhe institucioneve ligjzbatuese, duke promovuar inovacionin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe përgatitjen e profesionistëve të kualifikuar për sektorët e ushqimit, veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve”.
Burimi ATSH


















