AZHBR forcon bashkëpunimin me Agjencinë e Pagesave të Kroacisë
Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Ardita Kuçi zhvilloi takim pune me delegacionin nga Agjencia e Pagesave të Kroacisë, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dypalësh në sektorin e bujqësisë.

Delegacioni kroat u kryesua nga sekretari i Shtetit për Bujqësinë dhe Çështjet Ndërkombëtare, Zdravko Tušek, si dhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Pagesave, Nikola Dolački.
Gjatë takimit, Kuçi vuri theksin te rëndësia e forcimit të dialogut institucional dhe zgjerimit të bashkëpunimit në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Diskutimet u përqendruan në përmirësimin e Sistemit të Identifikimit të Parcelave Bujqësore (LPIS), komponent kyç i Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (IACS), ndërtimin e regjistrit të fermës, menaxhimin financiar dhe mekanizmat e kontrollit, si dhe në procesin e akreditimit të agjencisë së pagesave.
Kuçi e cilësoi takimin hap të rëndësishëm në vijimin e bashkëpunimit konkret me partnerët ndërkombëtarë, me synim përmbushjen e standardeve të BE-së dhe rritjen e eficiencës në mbështetjen e sektorit bujqësor.
Burimi ATSH