
Rama në podcast me “vajzat e Kinës së re”, dialog për kulturën dhe bashkëpunimin gjuhësor
Në episodin e radhës të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama kishte të ftuara katër vajza nga Kina, të cilat kishin studiuar gjuhën shqipe.

Në episodin e radhës të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama kishte të ftuara katër vajza nga Kina, të cilat kishin studiuar gjuhën shqipe.
Temë e episodit ishte “Vajzat e Kinës së Re”. Njëra prej tyre, Etleva, pas përfundimit të studimeve, ishte rikthyer në Shqipëri si diplomate pranë Ambasadës së Republikës së Kinës në Tiranë.
Gjatë bisedës, vajzat, dy prej të cilave studente të gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës, folën gjuhën shqipe në mënyrë të saktë, duke impresionuar kryeministrin Rama.
Ai theksoi se për disa vite stafi i tij kishte lexuar me vëmendje shkresat e ardhura nga ambasada e Kinës dhe nuk ishte konstatuar asnjë gabim drejtshkrimor.
Vajzat shprehën kënaqësinë për përvojën e tyre në Shqipëri, duke vlerësuar mundësinë për të mësuar gjuhën shqipe dhe për të njohur jetën e përditshme në vend.
Ato gjithashtu vlerësuan atraksionet turistike, kafenetë dhe agroturizmin, duke e konsideruar eksperiencën të pasur dhe të vlefshme për njohjen e kulturës shqiptare.
Kryeministri Rama tha se ishte kurioz të vizitonte Kinën rurale, për të njohur historinë dhe kulturën e vendit, larg qyteteve të mëdha si Pekini, Shangai apo Shenzheni.
Sepse, theksoi ai, historia e Kinës është e jashtëzakonshme. Ai po ashtu tha se do të donte të vizitonte Tibetin.
Rama gjithashtu nënvizoi rëndësinë e gjuhës mandarin për të ardhmen.
“Mandarin do të jetë një gjuhë që do t’u duhet njerëzve pas 20 vitesh. Numri i evropianëve dhe amerikanëve që mësojnë gjuhën mandarin është rritur, duke reflektuar nevojën për të komunikuar me një vend me zhvillim të madh ekonomik dhe teknologjik, si dhe për të kuptuar kulturën e tij”, u shpreh Rama.
Burimi ATSH

















