
Agjencia Kombëtare e Rinisë shpall thirrjen për Programin e Talenteve Rinore
Agjencia Kombëtare e Rinisë ka publikuar thirrjen për Programin e Talenteve Rinore.

Agjencia Kombëtare e Rinisë ka publikuar thirrjen për Programin e Talenteve Rinore.
Programi i Talenteve Rinore është një iniciativë shtetërore e Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR), e krijuar për të mbështetur të rinjtë shqiptarë që përfaqësojnë nën flamurin tonë vendin në kompeticione dhe veprimtari ndërkombëtare në fushat e artit, kulturës, edukimit, shkencës, teknologjisë dhe sportit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka shpërndarë sot këtë thirrje, ku theksohet se kostot nuk do të jenë më pengesë për talentin dhe ëndrrat e të rinjve aplikantë.
“Pa marrë parasysh nga cili qytet vini apo nëse është hera e parë që merrni pjesë në një konkurs ndërkombëtar, nëse zgjidhni për të përfaqësuar Shqipërinë, AKR do t’i mbështesë financiarisht për të realizuar potencialin tuaj”, thuhet në thirrjen e AKR.
Programi ofron: Kompensim të shpenzimeve të udhëtimit dhe akomodimit para veprimtarisë; Shpërblim financiar pas arritjes së rezultateve, si një akt vlerësimi dhe frymëzim për brezin e ri.
Veçanërisht i kushtohet vëmendje edhe të rinjve nga grupet në nevojë, që asnjë talent shqiptar të mos mbetet peng i pamundësive ekonomike.
Ky program zgjidh një sfidë të kahershme: shpeshherë, talentet e reja nuk mund të merrnin pjesë në kampionate apo olimpiada botërore për shkak të kostove të larta.
“Jeni krenaria jonë dhe fuqia e së ardhmes së Shqipërisë”, thuhet në thirrje duke i ftuar të rinjtë të aplikojnë.
“Çdo sukses juaj është një flamur që valon për Shqipërinë në botë! Mezi presim aplikimet tuaja – bëhuni ambasadorët e talentit dhe krenarisë shqiptare!”, mbyllet thirrja e AKR.
Burimi ATSH

















