Rama: Vendimi i Kuvendit për Ballukun nuk pengon hetimin, arresti duhet të jetë mjeti i fundit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për të mos autorizuar kërkesën e SPAK për heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku nuk pengon vijimin e hetimeve dhe se arresti duhet të jetë masa e fundit në procesin penal.


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për të mos autorizuar kërkesën e SPAK për heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku nuk pengon vijimin e hetimeve dhe se arresti duhet të jetë masa e fundit në procesin penal.

Gjatë shënimeve të javës në podkastin e tij “Flasim”, Rama u ndal te votimi i Kuvendit mbi kërkesën e SPAK, duke theksuar se Parlamenti e shqyrtoi çështjen me përgjegjësi dhe vendosi të mos autorizojë kërkesën për arrest.

“Kuvendi i Shqipërisë i dha fund një diskutimi, debati, polemike, përplasjeje të gjatë lidhur me kërkesën për të autorizuar heqjen e lirisë së një deputeti. Dhe çështja e deputetes Belinda Balluku, sipas meje, sipas nesh, është një çështje e mbyllur”, tha Rama.

“Kuvendi u shpreh pasi trajtoi me shumë përgjegjësi dhe me kujdesin më të madh të gjithë çka iu vu në dispozicion dhe nuk e autorizoi kërkesën me vlerësimin se kërkesa është në vazhdën e një kuturisjeje, e cila nuk mund të vazhdojë pafundësisht, ku njerëzit trajtohen si të ishin mjete në dispozicion të luftës kundër korrupsionit, edhe kur nuk bëhet fjalë për korrupsion, edhe kur nuk bëhet fjalë për përvetësime për interesa personale”, u shpreh Rama.

Sipas tij, problem mbetet edhe përdorimi i gjerë i masës së paraburgimit në vend.

“Praktikisht Shqipëria është kthyer në delen e zezë të Këshillit të Europës, si vendin me më shumë të paraburgosur, pra të kyçur brenda pa gjyq, sesa të burgosur të gjykuar dhe të dënuar. 58% e popullatës që ne e kemi sot në sistemin e burgjeve të Republikës së Shqipërisë nuk janë gjykuar, por janë në burg dhe jetojnë me taksat e shqiptarëve, në vend se të jetojnë me punën e tyre jashtë burgut dhe të ndiqen në gjendje të lirë”, tha Rama.

Ai theksoi se deputetët janë të barabartë para ligjit dhe mund të hetohen, por kufizimi i lirisë duhet të mbështetet në prova dhe kushte të qarta ligjore.

“Deputeti është i barabartë përpara ligjit, kjo nuk diskutohet. Si çdo shtetas tjetër mund dhe duhet të hetohet nëse ka arsye për hetim, por liria e deputetit si e çdo shtetësi tjetër nuk mund të kufizohet thjesht dhe vetëm me fjalë të përgjithshme apo me teorinë që prokurori dhe gjykatësi janë të pavarur dhe ata bëjnë çfarë të duan”, tha Rama.

Sipas tij, në rastin konkret bëhet fjalë për një hetim lidhur me dyshime për shkelje të barazisë në tendera disa vite më parë, pa akuza për korrupsion apo përvetësim fondesh.

“Në këtë rast kemi të bëjmë me një çështje ku prokurori ka ngritur dyshimin dhe ka nisur hetimin dhe më pas ka ngritur akuzën për shkelje të barazisë në tendera rreth gjashtë vite më parë. Nga ana tjetër nuk ka akuzë për korrupsion, nuk ka akuzë për përvetësim fondesh, nuk ka asnjë skenë flagrance dhe asnjë provë që të çon në këtë drejtim”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se mosdhënia e autorizimit për arrest nuk e pengon vijimin e hetimeve nga organet e drejtësisë.

“Kodi i Procedurës Penale është shumë i qartë: mosdhënia e autorizimit për arrest nuk e pengon prokurorinë të vijojë hetimin apo të kërkojë masa të tjera. Pra, hetimi vazhdon dhe drejtësia nuk pengohet”, tha Rama.

Ai shtoi gjithashtu se deputetja nuk ushtron më funksione ekzekutive dhe për këtë arsye nuk ekziston rrezik për ndikim në procesin e hetimit.

“Nga ana tjetër, deputetja nuk ushtron më asnjë funksion ekzekutiv. E gjithë kërkesa ishte ngritur kur ajo e ushtronte funksionin ekzekutiv dhe pavarësisht se ajo nuk është më në detyrë, prokuroria vazhdoi të kërkojë të njëjtën gjë, ndërkohë që nuk kishte asgjë të re që kishte ndodhur”, tha Rama.

Në përfundim, kryeministri theksoi se arresti si masa më e rëndë e sigurimit duhet të përdoret vetëm në raste të domosdoshme.

“Arresti si masa më e rëndë e sigurimit do të jetë mjeti i fundit, nuk mund të jetë mjeti i parë”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se “të gjithë ata që vunë kujën për integrimin dhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian, që na qenkej kaq afër, kini parasysh, janë po ata të cilët deri në këtë moment predikonin ditë, natë se integrimi dhe anëtarësimi ishin shumë larg. Se integrimi dhe anëtarësimi ishte “një ëndërr që unë e shisja për shqiptarët por që s’e besoja as vetë”, se “ne kurrë nuk do anëtarësoheshim në Bashkimin Europian” dhe papritur në të gjitha tenxheret u ngritën përpjetë kapakët sepse ëndrra u prish në çastin e fundit”.

“Këta janë në rastin më të mirë qesharakë, në rastin më të keq janë, jo vetëm injorantë, por janë dhe shumë të ligj. Por, unë ju siguroj që asnjë mënyrë që rruga jonë drejt anëtarësimit nuk është bllokuar dhe nuk do bllokohet për këtë shkak”, tha Rama.

Kryeministri tehskoi se, “është e vërtetë që kemi pasur një diskutim shumë konstruktiv me disa partnerë, të cilët kanë një opinion të ndryshëm, të cilët kanë komplet një tjetër qasje ndaj imunitetit në vendet e tyre se në vendet e tyre nuk fillon dot asnjë hetim pa marrë një herë autorizimin e parlamentit. Ne nuk kemi imunitet të kësaj natyre në Shqipëri. Ne kemi vetëm garanci për mbrojtjen e lirisë së deputeteve dhe kaq. Të tjerat kur thoshte At Gjergj Fishta janë dokrra hini”.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Rama: Vendimi i Kuvendit për Ballukun nuk pengon hetimin, arresti duhet të jetë mjeti i fundit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për të mos autorizuar kërkesën e SPAK për heqjen…

Global 360

Osmani shpërndau parlamentin dhe njoftoi zgjedhjet e reja në Kosovë, reagon kreu i LDK-së

Pas konferencës për shtyp të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka bërë të ditur shpërndarjen e Kuvendit të…

Diplovista

Rama për “Türkiye Today”: Nëse Kosova është nën një kërcënim ekzistencial, është edhe Shqipëria

Rama i inkurajoi lexuesit e “Türkiye Today” të vizitonin Shqipërinë dhe ta përjetojnë vendin nga afër

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë!

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama: Vendimi i Kuvendit për Ballukun nuk pengon hetimin, arresti duhet të jetë mjeti i fundit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për të mos autorizuar kërkesën e SPAK për heqjen…