
Papajorgji pret përfaqësues të Fondacionit Botëror të Ligjit
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, priti sot në mjediset e gjykatës një delegacion të Fondacionit Botëror të Ligjit

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, priti sot në mjediset e gjykatës një delegacion të Fondacionit Botëror të Ligjit, i cili po zhvillon në Shqipëri një vizitë disaditore në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027.
Në takim morën pjesë Angela Montoya, drejtuese ekzekutive e fondacionit Leopoldo Lelo de Larrea, mbështetës dhe udhëheqës eventesh, dhe Jacobo Docampo, koordinator i përgjithshëm i këtij fondacioni.
Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi bashkëpunimin institucional dhe koordinimin e veprimeve në funksion të përgatitjes së Kongresit Botëror të Ligjit, i cili do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2027. Organizimi i këtij Kongresi përbën një dëshmi të rëndësishme të angazhimit të shtetit shqiptar për forcimin e demokracisë dhe konsolidimin e sundimit të ligjit.
Zhvillimi i këtij aktiviteti ndërkombëtar reflekton progresin e arritur, edhe përmes reformave të ndërmarra në drejtim të forcimit të pavarësisë së sistemit të drejtësisë, për një demokraci të qëndrueshme në vend dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
Njëkohësisht, Kongresi pritet të shërbejë si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimin e vlerave që qëndrojnë në themel të shtetit të së drejtës.
Burimi ATSH



















