
Kushi: PS mbështet rezolutën e grave të Partisë Popullore Evropiane, e papranueshme gjuha fyese në Kuvend
Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi deklaroi sot nga Kryesia e Kuvendit ku zhvilloi mbledhjen grupi parlamentar i PS, se forca e saj politike mbështet rezolutën ndaj dhunës kundër grave dhe vajzave në politikë dhe në jetën publike, e bërë publike nga Partia Popullore Evropiane.

Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi deklaroi sot nga Kryesia e Kuvendit ku zhvilloi mbledhjen grupi parlamentar i PS, se forca e saj politike mbështet rezolutën ndaj dhunës kundër grave dhe vajzave në politikë dhe në jetën publike, e bërë publike nga Partia Popullore Evropiane.
Kushi nënvizoi se “të gjithë jemi dëshmitarë që në seancën e fundit parlamentare të datës 5 mars ndaj grave dhe vajzave deputete të Partisë Socialiste është përdorur nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, por jo vetëm, një gjuhë fyese, diskriminuese dhe krejtësisht e papranueshme”.
“Kjo gjuhë jo vetëm shkel Rregulloren e Kuvendit dhe Kodin e Etikës së deputetit, por cenon edhe dinjitetin njerëzor, rregullat e mirësjelljes dhe normat bazë të komunikimit mes njerëzve. Pas publikimit nga zyra e shtypit e Partisë Demokratike të një rezolute të grave të Partisë Popullore Evropiane, e cila në fakt është një rezolutë e miratuar në datat 8–9 dhjetor të vitit të kaluar dhe lidhet me përballjen ndaj dhunës kundër grave dhe vajzave në politikë dhe në jetën publike, ne kemi mbajtur një qëndrim”, tha Kushi.
Sipas Kushit, gratë dhe vajzat deputete të Partisë Socialiste, angazhohen që jo vetëm ta mbështesin këtë rezolutë duke e miratuar pikë për pikë, por ajo ftoi edhe kolegët e partisë simotër të Partisë Popullore Evropiane që të bashkohen në këtë nismë, jo vetëm me vota, por edhe me veprime.
“Për ne është krejtësisht e papranueshme ajo që po ndodh në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Prej kohësh kjo gjuhë fyese ndaj grave dhe vajzave deputete nuk është më një rast i izoluar, por fatkeqësisht është kthyer në një normalitet nga disa deputetë të opozitës”, vijoi ajo.
“Ne e kërkojmë këtë jo vetëm për të mbrojtur dinjitetin e grave dhe vajzave deputete të Partisë Socialiste, por për të mbrojtur dinjitetin e të gjitha grave dhe vajzave të angazhuara në politikë dhe në jetën publike”, theksoi Kushi, duke i kërkuar kryetarit të Kuvendit që ta përfshijë në kalendarin e punimeve të Kuvendit miratimin e kësaj rezolute.
“Dhuna verbale me bazë gjinore dhe gjuha joparlamentare e diskriminuese nuk duhet të kenë vend në Kuvend dhe në jetën publike. Prandaj bëjmë thirrje që mesazhet e kësaj rezolute të Partisë Popullore Evropiane të respektohen edhe nga kryetari i partisë simotër shqiptare të kësaj familjeje politike, Sali Berisha, i cili me sulmet e tij të ulëta, fyese, diskriminuese dhe shpifëse në foltoren e parlamentit cenon jo vetëm personat që sulmon, por edhe familjen, vendin, partinë e tij dhe vetë Partinë Popullore Evropiane”, cilësoi Kushi.
Burimi ATSH



















