
Sinjalistikë informuese për vizitorët në parkun kombëtar të Vjosës
Parku Kombëtar i Lumit Vjosa po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të apasionuar pas turizmit aktiv dhe eksplorimit të natyrës.

Parku Kombëtar i Lumit Vjosa po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të apasionuar pas turizmit aktiv dhe eksplorimit të natyrës.
Ndaj prioritet është konsideruar edhe investimi për krijimin e sinjalistikës informuese që ndihmon vizitorët jo vetëm të orientohen por edhe të zbulojnë më lehtë shtigjet dhe pikat kryesore.
Në këtë drejtim, kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se investimi në informim dhe orientim është thelbësor për ekoturizmin e përgjegjshëm dhe një përvojë më cilësore për çdo vizitor.
“Parku Kombëtar i Lumit Vjosa, me një sipërfaqe mbi 12,7 mijë hektarë, është unik në llojin e tij dhe përfaqëson një nga pasuritë më të veçanta natyrore të vendit”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se sinjalistika e re e vendosur në park ndihmon vizitorët jo vetëm të orientohen dhe të zbulojnë më lehtë shtigjet dhe pikat kryesore, por edhe të marrin informacion mbi rëndësinë e biodiversitetit, ekosistemin e rrallë të lumit të egër dhe nevojën për ta mbrojtur atë.
Zhvillimi i aktiviteteve si kayak-u dhe kanotazhi përgjatë Vjosës po kontribuon në zgjerimin e ofertës turistike, ndërsa zonat përreth lumit po shohin rritje të interesit nga operatorët turistikë dhe vizitorët e huaj.
Vjosa konsiderohet një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë dhe po konsolidohet si një pikë referimi për turizmin e qëndrueshëm dhe aventurën në natyrë.
Burimi ATSH


















