
Rrëfehet Andi Lila, nga dilemat mes familjes dhe futbollit te ëndrra e realizuar me Kombëtaren
Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Andi Lila, ka ndarë emocionet dhe momentet më të rëndësishme të karrierës së tij në emisionin “Legjendat flasin”

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Andi Lila, ka ndarë emocionet dhe momentet më të rëndësishme të karrierës së tij në emisionin “Legjendat flasin”, duke rrëfyer rrugëtimin nga hapat e parë në Kavajë deri te realizimi i ëndrrës për të luajtur në një Kampionat Europian me fanellën kuqezi.
Lila tregoi se pasioni për futbollin nisi në moshën 10-vjeçare, ndërsa në moshën 15-vjeçare u bë pjesë e ekipit të parë të Besa Kavajë, duke nisur kështu karrierën si profesionist.
Më pas ai ndërtoi një rrugëtim të suksesshëm jashtë vendit, me eksperienca në Greqi dhe Itali, ku veçoi realizimin e ëndrrës për të luajtur në Serinë A me Parmën, si një nga kulmet e karrierës së tij.
Një ndër momentet më të rëndësishme në nivel klubesh, sipas tij, ishte goli i shënuar në “San Siro” ndaj Interit, të cilin e konsideron si golin më domethënës të karrierës.
Me fanellën e Kombëtares Lila numëron 70 paraqitje, ndërsa debutimi i tij erdhi në vitin 2007 ndaj Rumanisë, me ftesë të trajnerit të ndjerë Oto Barić.
Ai kujtoi emocionet e para në Kombëtare dhe rrugëtimin që kulmoi me pjesëmarrjen historike në UEFA Euro 2016, ku Shqipëria arriti fitoren e parë në një kompeticion madhor, ndaj Rumanisë.
Ish-mbrojtësi vlerësoi gjithashtu rolin e trajnerit Gianni De Biasi, i cili i dha besimin për të luajtur në ndeshjen ndaj Francës në “Velodrome”, një tjetër moment që Lila e cilëson si të paharrueshëm.
Duke folur për Kombëtaren aktuale, ai theksoi se organizimi dhe kushtet janë përmirësuar ndjeshëm ndër vite, ndërsa shprehu besimin se ky brez ka potencialin për të realizuar një tjetër ëndërr të madhe, atë të kualifikimit në një Kampionat Botëror.
Sot, Lila është i angazhuar në zhvillimin e talenteve të rinj përmes akademisë së tij të futbollit, duke theksuar se dëshiron që brezi i ri të përjetojë emocionet që ai vetë i përjetoi me fanellën kuqezi.
“Çuna, nderoni fanellën, nderoni kombin, nderoni Shqipërinë, familjen tuaj dhe veten tuaj. Shkruani emrat tuaj me gërma të arta në historinë e futbollit shqiptar”, ishte mesazhi i tij për ekipin kombëtar përpara sfidave të ardhshme.
Burimi ATSH



















