
Vengu: Shqipëria dhe Hungaria shkëmbejnë atashe ushtarakë brenda vitit
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari me ftesë të homologut Kristóf Szalay-Bobrovniczky, me të cilin zhvilloi edhe një takim.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari me ftesë të homologut Kristóf Szalay-Bobrovniczky, me të cilin zhvilloi edhe një takim.
Vengu nënvizoi se, Hungaria është një aleate e fortë në NATO, mbështetëse e qartë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe kontribuese konkrete për stabilitetin dhe sigurinë në Europën Juglindore.
Ai u shpreh se palët ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në industri, inovacion dhe arsim ushtarak.
Në këtë kuadër, brenda vitit 2026, Shqipëria dhe Hungaria do të shkëmbejnë atashe ushtarakë, një hap konkret për forcimin e koordinimit strategjik, rritjen e besimit reciprok dhe avancimin e ndërveprueshmërisë mes forcave të armatosura të dy vendeve.
Bashkëpunimi dypalësh po hyn në një fazë të re dhe më ambicioze. Shqipëria synon të përfitojë nga përvoja hungareze në modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe industrisë ushtarake, ndërsa bashkëpunimi do të zgjerohet edhe në fushën e trajnimit të efektivëve të Forcës Ajrore, si një investim në gatishmëri, profesionalizëm dhe siguri afatgjatë.
Ky partneritet vlerësohet si një shembull konkret i bashkëpunimit që prodhon kapacitete reale dhe kontribuon në forcimin e sigurisë kolektive, në linjë me angazhimet euroatlantike dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Burimi ATSH


















