
Rama ndan videokartolinën e takimit të Bordit të Paqes
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë të enjten në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes, e zhvilluar në ambientet e Institutit Amerikan të Paqes “Donald J. Trump” në Uashington D.C., me praninë e drejtuesve të shteteve, qeverive dhe përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë të enjten në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes, e zhvilluar në ambientet e Institutit Amerikan të Paqes “Donald J. Trump” në Uashington D.C., me praninë e drejtuesve të shteteve, qeverive dhe përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Rama falënderoi Presidentin e Shteteve të Bashkuara për ftesën dhe theksoi se vota e harmonizuar dypartiake e Kuvendit të Shqipërisë në mbështetje të kësaj nisme dëshmon vlerësimin e lartë që Shqipëria i jep rolit të saj si një ndër anëtaret themeluese të Bordit të Paqes.
Kreu i qeverisë shqiptare u ndal edhe te debati mbi rolin e kësaj nisme në raport me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se Bordi i Paqes nuk synon të zëvendësojë OKB-në, por, sipas tij, çdo përpjekje që kontribuon në rigjallërimin e mekanizmave shumëpalësh të paqes është e mirëpritur.
Duke iu referuar zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Rama përgëzoi rolin e Presidentit amerikan për ndalimin e konfliktit në Gazë dhe konfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar me trupa në forcën e stabilizimit. Ai propozoi gjithashtu që Bordi i Paqes të ftojë vendet anëtare të kontribuojnë në ndërtimin e një objekti publik të dedikuar për fëmijët palestinezë, si një simbol konkret solidariteti dhe shprese për brezin e ri.
Në vijim, kryeministri Rama tërhoqi vëmendjen edhe ndaj dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar rolin e presidentit Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë në afrimin e palëve drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.
Ai ngriti shqetësimin për situatën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë prej disa vitesh, duke theksuar nevojën për respektim të standardeve të drejtësisë demokratike.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Rama theksoi se Shqipëria, si vend me marrëdhënie të mira si me Izraelin, ashtu edhe me vendet arabe, synon të jetë një vlerë e shtuar në përpjekjet për paqe dhe stabilitet ndërkombëtar, duke rikonfirmuar angazhimin e saj në këtë nismë.
Burimi ATSH


















