
Delegacioni i ‘AFET’ në Kuvend, Peleshi: Anëtarësimi në BE mbetet prioritet kombëtar
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në Kryesinë e Kuvendit delegacionin e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, AFET, të kryesuar nga Kryetari David McAllister.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në Kryesinë e Kuvendit delegacionin e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, AFET, të kryesuar nga Kryetari David McAllister. Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës për njohjen nga afër me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Peleshi dhe anëtarët e delegacionit zhvilluan një diskutim të hapur mbi arritjet, sfidat dhe hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, si dhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit të Kuvendit me Parlamentin Europian dhe AFET për përshpejtimin e këtij procesi.
Peleshi vlerësoi mbështetjen e qëndrueshme të Parlamentit Europian dhe theksoi se zgjerimi i BE-së përbën një investim për sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e Europës.
Ai nënvizoi se, Shqipëria ndodhet tashmë në një fazë të re të procesit, duke kaluar nga integrimi drejt anëtarësimit, ndërsa Kuvendi ka ndërmarrë ndryshime ligjore dhe ristrukturime për të forcuar rolin e tij në këtë proces. Objektivi i vendit mbetet përfundimi i negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe anëtarësimi në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, një synim ambicioz, por realist.
Kryetari i Kuvendit evidentoi progresin e Shqipërisë në hapjen e negociatave për të gjithë grupkapitujt, si dhe angazhimin e Kuvendit dhe të institucioneve për përmbushjen e piketave të ndërmjetme në fushat kyçe, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e të drejtave themelore.
Kuvendi, theksoi ai, ka luajtur një rol qendror përmes miratimit të një sërë ligjesh që afrojnë legjislacionin shqiptar me acquis të BE-së dhe përmes forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe konsensusit politik e parlamentar për anëtarësimin në familjen europiane.
Gjithashtu, Peleshi riafirmoi përputhjen e plotë të politikës së jashtme të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke theksuar se vendi mbetet një partner i besueshëm dhe i angazhuar në kampin euroatlantik. Ai falënderoi delegacionin e AFET dhe Kryetarin McAllister për mbështetjen dhe besimin e vazhdueshëm në të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Ky takim, një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit të Kuvendit me Parlamentin Europian për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Burimi ATSH


















