
Rama uron Thaçin për Pavarësinë e Kosovës: Sot Komandanti ishte si asnjëherë i qetë
Kryeministri Edi Rama i ka uruar sot përmes një telefonate ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Edi Rama i ka uruar sot përmes një telefonate ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Rama shprehet se telefonata e 17 shkurtit nga Haga ka qenë prej vitesh emocionalisht e vështirë, por këtë herë, sipas tij, Thaçi ishte më i qetë se herët e tjera.
“Prej vitesh telefonata e urimit të 17 shkurtit nga Haga është e vështirë emocionalisht, por sot Komandanti ishte si asnjëherë i qetë në zërin e tij, duke ma përsëritur dy herë, në fillim e në fund, “Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem atë nuk ma merr dot kurrë askush”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale ku ka ndarë momentet e telefonatës me Thaçin.
Në telefonatë kreu i qeverisë i uron Pavarësinë, Hashim Thaçit, teksa shprehet i shqetësuar për situatën që ai po kalon.
“Gëzuar Pavarësinë edhe ty komandant. Jam shqetësuar shumë me këtë historinë. Vëllai im të përqafoj fort, të dua shumë. Më vjen shumë keq që s’bëj dot më shumë por… Gëzuar edhe të përqafoj shumë fort dhe të fala atyre shokëve. Mirupafshim”, shprehet Rama gjatë telefonatës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po gjykohen nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.
Kosova feston sot 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Shteti i Kosovës u shpall i pavarur më 17 shkurt 2008. Ky ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm për popullin e Kosovës. Deri në qershor të vitit 1999, shqiptarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga ushtria e Millosheviçit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar.
Gjithashtu mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen të paraburgosur në Hagë nga nëntori i 2020, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Me pankartat në duar “Liria ka Emër”, “Historia nuk mund të rishkruhet”, “Liri në emër të popullit” shqiptarët kërkuan drejtësi për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në protestën “Drejtësi, jo politik” e organizuar nga “Liria ka Emër” kanë marrë pjesë edhe krerët e shtetit. E pranishme ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Burimi ATSH


















