
Rama: Refuzojmë ndërhyrjen në territorin kushtetues të pushtetit ekzekutiv
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se nisma ligjore që ndalon pezullimin e funksioneve kushtetuese synon po ashtu të refuzojë ndërhyrjen në territorin kushtetues të pushtetit ekzekutiv.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se nisma ligjore që ndalon pezullimin e funksioneve kushtetuese synon po ashtu të refuzojë ndërhyrjen në territorin kushtetues të pushtetit ekzekutiv.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama u shpreh se shumica në Kuvend e refuzon pezullimin nga detyra të funksioneve Kushtetuese.
Sipas tij, mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku bën që kufiri ndarës mes pushteteve të jetë “si ato gardhet me një vrimë ku hyjnë e dalin qentë e minjtë”.
“Ne këtë nuk mund ta lejojmë. Nuk ka lidhje fare me asnjë cenim të të drejtave që i jep pushtetit gjyqësor pavarësia, që i kemi dhënë me vullnetin tonë të lirë dhe të padiskutueshëm pas 100 vjetësh dhe që patjetër vazhdojmë ta garantojmë ne dhe do ta garantojmë deri kur të bëhet një pavarësi e pakthyeshme nga askush”, tha Rama.
Vendosja e këtij kufiri, sipas tij, është shumë i rëndësishëm për të përcaktuar edhe një ndarje tjetër që nuk ekziston në mendjen e shumëkujt lidhur me pavarësinë e dy pushteteve të tjera, atij ekzekutiv dhe legjislativ.
“Vetëm pushteti gjyqësor është i pavarur në Shqipëri? Të tjerët janë të gjithë të varur nga pushteti gjyqësor? Jo, Kushtetuta e thotë se ka tre pushtete të pavarura: përveç gjyqësorit është edhe legjislativi dhe ekzekutivi. Për çfarë jemi ne të pavarur në raport me gjyqësorin dhe kur gjyqësori nuk duhet ta imagjinojë se duhet të hyjë në territorin tonë? Këtu kam parasysh pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se pushteti ekzekutiv është i pavarur në të drejtën për të marrë vendime.
“Vendimet tona janë sovrane dhe nuk ka prokuror e gjykatës që t’i vërë në diskutim për sa kohë janë vendime që nuk burojnë nga qëllime të pashpallura. Ai pushtet i pavarur prej nesh (gjyqësori) është për të vigjëluar nëse vendimet tona burojnë vetëm nga qëllimet e shpallura. Për të vigjëluar bazuar mbi prova dhe fakte, jo në vënien në dyshim të çdo vendimi dhe në marrjen e vendimeve të pezullimeve si të ishin simite njerëzit që pezullohen”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se nuk ka parasysh këtu vetëm rastin konkret të qeverisë, por një sërë drejtuesish të institucioneve të pavarura.
“Me këtë histori e goditjes së vazhdueshme të burimeve njerëzore të këtij vendi bazuar në dyshim unë personalisht nuk pajtohem dhe ne nuk mund dhe nuk do të pajtohemi, sepse cenohet territori i pavarësisë kushtetuese të pushtetit ekzekutiv, i njerëzve që duhet të qeverisin dhe të administrojnë punët e këtij vendi”, tha Rama.
Kjo nismë ligjore, sipas tij, përcakton çdo funksion në mënyrë që të mos ketë më mundësi interpretimesh dhe boshllëk.
“Kjo është arsyeja që ne e bëjmë këtë ndryshim. Rasti konkret ka rrugën e vetë nuk ka fare lidhje me pezullimin, por pezullimi është i papranueshëm. Ne do të merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në Kuvend ndërhyrjen në territorin kushtetues të pushtetit ekzekutiv”, shtoi Rama.
Burimi ATSH



















