
Duka në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së: Ligji i sponsorizimeve, jetik
Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore, presidenti i FShF, Armand Duka paraqiti një panoramë të plotë të arritjeve, sfidave dhe objektivave strategjikë të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke theksuar se institucioni hyn në një fazë të re konsolidimi dhe rritjeje të qëndrueshme.

Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore, presidenti i FShF, Armand Duka paraqiti një panoramë të plotë të arritjeve, sfidave dhe objektivave strategjikë të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke theksuar se institucioni hyn në një fazë të re konsolidimi dhe rritjeje të qëndrueshme.
Duka nënvizoi stabilitetin financiar të federatës, investimet mbi 16 milionë euro në infrastrukturë sportive, zgjerimin e garave në të gjithë vendin, rritjen e numrit të futbollistëve dhe profesionistëve të certifikuar, si dhe besimin në rritje nga institucionet ndërkombëtare të futbollit.
Kreu i futbollit shqiptar vuri theksin edhe te ndikimi social dhe ekonomik i futbollit, duke e cilësuar atë si një instrument zhvillimi shoqëror dhe një sektor me potencial real ekonomik, që gjeneron dhjetëra milionë euro në vit për vendin.
Duka theksoi rëndësinë e miratimit të ligjit të sponsorizimit, rritjen e pranisë së tifozëve në stadiume, si dhe nevojën për mbështetje më të madhe institucionale për infrastrukturën sportive, duke e konsideruar sportin prioritet publik. Në të njëjtën kohë, Duka evidentoi progresin e ekipeve kombëtare, zgjerimin e përfaqësimit ndërkombëtar të Shqipërisë në strukturat e UEFA dhe FIFA, si dhe organizimin me sukses të eventeve madhore europiane, që kanë rritur imazhin e vendit në arenën sportive.
“Ne mund të jemi e vetmja federatë në Europë, që jo vetëm organizojmë të gjithë garat profesioniste e amatore, kombëtare e rajonale, por edhe mbulojmë të gjitha kostot për organizimin e tyre, për arbitra, delegatë, vëzhgues, zyrtarë ndeshjesh, tashmë edhe për teknologjinë VAR, që është një kosto shumë e shtuar për FShF”, u shpreh Duka.
“Por jo vetëm këto, ne mbështesin edhe me bazë materiale, duke financuar 100% të topave të futbollit në të gjitha nivelet e garave dhe 95 % të uniformave të lojës dhe stërvitore për të gjithë futbollistët e futbollistet që luajnë në vendin tonë.
Çdo javë, në Shqipëri zhvillohen qindra ndeshje kombëtare e rajonale për djem dhe vajza duke arritur edhe mbi 600 në periudha piku. Sot, në sistemin tonë janë të regjistruar 27.866 persona – lojtarë, trajnerë, arbitra dhe vëzhgues. Dhe kemi më shumë futbollistë se kurrë më parë 24 183. Ky është një realitet që shpesh mbetet i padukshëm, por që përbën thelbin e ekzistencës së futbollit shqiptar”, u shpreh Duka.
Sipas tij, garat kombëtare të organizuara nga Federata kanë dëshmuar një nivel konkurrues dhe profesional të admirueshëm. “Kampionatet profesioniste si Abissnet Superiore dhe Kategoria e Parë kanë ofruar rivalitet të vërtetë sportiv, me garë të hapur deri në ditën dhe minutat e fundit, duke rikthyer emocionin dhe besueshmërinë e rezultateve në fushë.
Implementimi i formulës “Final 4” në Kategorinë Abissnet Superiore ka rezultuar një hap i menduar dhe i guximshëm, që ka shtuar intensitetin, interesin mediatik dhe vlerën sportive të kampionatit, duke krijuar një kulm sezoni dinjitoz dhe të denjë për standardet europiane. Një garë e hapur deri në minutat e fundit e që njëkohësisht ka sjellë më shumë të ardhura për klubet”, tha Duka.
Duka tha se “sfida jonë e përbashkët mbetet rritja e pranisë së spektatorëve në stadiume. Futbolli merr kuptim të plotë vetëm kur tribunat janë të gjalla, kur komuniteti bëhet pjesë e lojës dhe kur klubet ndërtojnë një lidhje të qëndrueshme me tifozët e tyre. Kjo është një përgjegjësi kolektive: e Federatës, e klubeve dhe e aktorëve të tjerë të futbollit për ta kthyer stadiumin në një hapësirë feste, përkatësie dhe krenarie kombëtare”.
Kreu i FShF tha se, “ne i zhvillojmë këto gara në një realitet jo të lehtë: me infrastrukturë ende të paplotë, me burime financiare të kufizuara dhe në një ekonomi që ka sfidat e saj. Dhe megjithatë, falë përkushtimit, sakrificës dhe pasionit tuaj – të nderuar drejtues klubesh dhe akademish – futbolli shqiptar jo vetëm që mbahet në këmbë, por rritet dita ditës.
Prandaj dua të ritheksoj një çështje thelbësore: nevojën jetike për miratimin e ligjit të sponsorizimit. Ky ligj nuk është privilegj për sportin. Është një instrument zhvillimi. Ai nxit investimet, formalizon marrëdhëniet financiare, rrit transparencën dhe krijon mundësi reale për të rinjtë, për komunitetet dhe për ekonominë në tërësi”.
“Miratimi i tij do të ishte një hap strategjik për t’i dhënë sportit shqiptar një bazë më të qëndrueshme financiare dhe për të shumëfishuar ndikimin pozitiv që futbolli dhe aktivitetet sportive sjellin në shoqëri”, tha Duka.
Duke folur për investimet, Duka u shpreh se në katër vitet e fundit janë investuar 16 503 145 euro në projekte infrastrukturore, nga të ardhurat e FShF, nga mbështetja e FIFA dhe UEFA, si dhe në bashkëpunim me bashki, klube, akademi dhe qeveri. “Si rezultat, janë ndërtuar 40 fusha të reja dhe janë ri konstruktuar apo janë në proces rikonstruksioni 7 stadiume në të gjithë vendin”, tha ai.
“Sot, Shqipëria ka një fushë futbolli për 18.981 banorë. Mesatarja europiane është një fushë për rreth 3800 banorë. Ky hendek është i madh dhe nuk mund të mbyllet me iniciativa të fragmentuara. Ai kërkon një strategji kombëtare për sportin, të koordinuar, afatgjatë dhe të financuar në mënyrë të qëndrueshme”, u shpreh Duka.
Kreu i FShF tha se futbolli kërkon infrastruktur, por edhe profesionistë. “Dhe pikërisht këtë e kemi vendosur si prioritet: ndërtimin e një sistemi të mirëfilltë edukimi dhe certifikimi për të gjitha specialitetet që i duhen progresit të lojës sonë : trajnerë, drejtorë sportivë, administratorë, mjekë sportivë, fizioterapistë, etj. Jo shumë vite më parë, Shqipëria nuk kishte asnjë autoritet kombëtar që trajnonte dhe certifikonte profesionistët e futbollit. Numëronim me gishtat e dorës 2–3 trajnerë të licensuar jashtë vendit, kryesisht në Coverciano në Itali.
Sot realiteti është krejt tjetër. Me dëshmi dhe njohje të plotë nga UEFA, kemi edukuar dhe formuar: 216 trajnerë me licensë UEFA Pro; 563 trajnerë me licencë UEFA A; 828 trajnerë me licencë UEFA B; 497 trajnerë me licensë UEFA C; 377 profesionistë të tjerë: mjekë sportivë, drejtorë teknikë e sportivë, trajnerë atletikë, fizioterapistë, videoanalistë, skautë dhe specialistë të tjerë të lidhur me performancën. Këto nuk janë thjesht statistika. Këto janë kapacitete njerëzore që ndryshojnë cilësinë e lojës në çdo nivel”, tha Duka.
Kemi punuar fort për të forcuar prezencën tonë ndërkombëtare përmes punës, seriozitetit dhe rezultateve konkrete. Nga një përfaqësim minimal vite më parë, sot Shqipëria ka:1 arbitra me stemën e FIFA; 5 delegatë dhe 2 vëzhgues ndërkombëtarë; 9 përfaqësues në komitetit e UEFA-s; 2 përfaqësues në komisionet e FIFA-s Ky nuk është vetëm një sukses numerik. Është dëshmi e besimit që institucionet më të larta të futbollit europian dhe botëror kanë ndaj profesionalizmit dhe integritetit tonë.
Shqipëria është afirmuar si partner serioz dhe i besueshëm në familjen europiane dhe botërore të futbollit”, u shpreh Duka.
“Vetëm në vitin 2025 kemi organizuar 10 turne europianë: 5 për djem dhe 5 për vajza. Pas suksesit në organizimin e finales së parë historike të UEFA Europa Conference League në vitin 2022, në vitin 2025 organizuam me sukses turneun final të Kampionatit Europian U-17 dhe po përgatitemi për një tjetër ngjarje madhore: Kampionatin Europian U-21 në vitin 2027. Pse jo, nesër edhe një finale të Superkupës Europiane në 2028. Këto nuk janë thjesht evente. Janë investime në imazhin e vendit, në ekonominë lokale dhe në pozicionimin e Shqipërisë si destinacion i besueshëm për organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive”, tha ndër të tjera Duka.
Kreu i FShF vlerësoi dhe performancën e Kombëtares, duke theksuar se ëndrra mbetet pjesëmarrja në finalet e Botërorit 2026.
“Ndërsa ekipi ynë kombëtar i djemve është kthyer në simbol kombëtar, në krenari kombëtare, në dashuri kombëtare. Në gjithë historinë tonë të para viteve 2000 kemi tentuar, kemi bërë aty këtu edhe ndonjë performancë apo rezultat pozitive, por përsëri jemi renditur të fundit në grup, përjashto kualifikueset e Euro 1996 ku u renditëm të parafundit në grupin 7 me pikë të barabarta me Uellsin, por me golavarazh më të mirë. Sot, pasi kemi luajtur dy Europianë, kemi objektiv të luajmë edhe një Botëror.
Arritja në play-off për Kupën e Botës 2026 është rezultat i një procesi të ndërtuar me stabilitet, durim dhe besim te filozofia jonë e punës. Sot kemi shansin më të madh në historinë tonë për të shkuar në finalet e një Botërori si një ekip që ka treguar se di të përballet me presionin, di të garojë në nivele të larta dhe mbi të gjitha di të përfaqësojë Shqipërinë me dinjitet.
Kam shumë besim dhe kemi mundësi reale të arrijmë. Kemi ekip, kemi ekip të madh, jo vetëm ato 11 që do të jenë në fushë, por edhe të gjithë shqiptarët që do ta mbështesin me shumë zemër”, u shpreh Duka.
“Unë dua t’i bëj një thirrje ekipit tonë kombëtar, jo vetëm në emrin tim, por në emër të gjithë shqiptarëve: shijojini këto dy ndeshje play-off, kushdo që të jetë rezultati ju do të mbeteni heronjtë tanë, ju e keni arritur atë që ne duam. Na keni bërë krenarë dhe ne do të jemi gjithmonë krenarë me ju”, përfundoi Duka.
Në përmbyllje, ai theksoi se strategjia “Vision to Victory 2026–2030” do të jetë udhërrëfyesi i zhvillimit të futbollit shqiptar në vitet e ardhshme, me fokus te cilësia, transparenca, përfshirja dhe qëndrueshmëria financiare, duke shtuar se sukseset e ardhshme do të varen nga bashkëpunimi i gjithë komunitetit të futbollit dhe nga ruajtja e unitetit institucional.
/Marrë nga ATSH



















