
Flamingot “pushtojnë” Zvërnecin, spektakël në Lagunën e Nartës
Pamjet e spektaklit natyror janë ndarë në rrjetet sociale nga Kryeministri Edi Rama.

Flamingot kanë mbushur zonën e Zvërnec, duke i dhënë një pamje të veçantë kësaj zone të mbrojtur bregdetare.
Pamjet e spektaklit natyror janë ndarë në rrjetet sociale nga Kryeministri Edi Rama.
Rama publikuar momente nga prania e shpendëve në lagunë teksa shkroi “Sot në Zvërnec”.
Shqipëria konsiderohet një habitat i sigurt dhe i dashur për një shumëllojshmëri speciesh që jetojnë, folezojnë apo ushqehen në territoret e zonave të mbrojtura. Flamingoja është një prej specieve që vitet e fundit ka zgjeruar praninë e saj në vendin tonë, duke nisur të folezojë në Laguna e Nartës dhe tashmë edhe në Zvërnec.
Në zonat e mbrojtura ujore, flamingot jetojnë në koloni të mëdha, duke formuar grupe që variojnë nga dhjetëra deri në qindra apo mijëra individë. Kjo specie e veçantë mund të jetojë mesatarisht deri në 30 vjet dhe njihet për fluturimet e gjata gjatë periudhave të shtegtimit, kur ngrihen në ajër në grup dhe përshkojnë qindra kilometra.
Zvërneci është një nga destinacionet natyrore që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë falë bukurive të tij unike. Pas investimeve të fundit infrastrukturore dhe ndërtimit të urës lidhëse, turistë të shumtë zgjedhin të vizitojnë ishullin në çdo stinë të vitit.
Interes të veçantë për vizitorët paraqet edhe Manastiri i Shën Mërisë, i ndodhur në ishullin e Zvërnecit, ku mund të arrihet përmes një ure të ngushtë këmbësorësh prej druri. Manastiri, një ndërtim tipik bizantin i shekullit X pas Krishtit, mbetet një nga monumentet më të rëndësishme kulturore dhe historike të zonës, duke e bërë Zvërnecin një destinacion tërheqës si për turizmin natyror ashtu edhe për atë kulturor.
/Marrë nga ATSH



















