
Rama: Bazilika “Zonja e Këshillit të Mirë”, një vlerë e trashëgimisë shpirtërore shqiptare
Në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ndal te një nga momentet më të veçanta të kësaj jave, vizita në Vatikan.

Në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ndal te një nga momentet më të veçanta të kësaj jave, vizita në Vatikan.
Ndryshe nga vizitat e mëparshme, Rama theksoi se kjo vizitë kishte një domethënie të veçantë, pasi përfshiu edhe një ndalesë të paharrueshme në Bazilikën “Zonja e Këshillit të Mirë”, vend ku ruhet shëmbëlltyra e Shën Marisë, e shkëputur nga muri i Kishës së Vjetër të Shkodrës në vitin 1467.
Kryeministri u shpreh se asnjë kryetar shteti apo qeverie shqiptare nuk e kishte shkelur më parë pragun e kësaj bazilike, duke shtuar se rëndësinë e kësaj ndalese e kishte kuptuar plotësisht vetëm së fundmi.
Bazilika “Zonja e Këshillit të Mirë” përbën një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore shqiptare jashtë vendit, me vlera të veçanta historike dhe fetare.
Një tjetër veçanti e kësaj bazilike është fakti se ajo ndodhet nën kujdesin e Urdhrit Augustinian, një urdhër me peshë të veçantë në historinë e Kishës Katolike, të cilit i përket edhe papa Leone XIV.
- Burimi ATSH


















