
Gonxhja: Memoriali i Fishtës do të kthehet në një qendër ndërkombëtare arti
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja informoi sot se Memoriali i Fishtës do të kthehet në një qendër ndërkombëtare arti.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja informoi sot se Memoriali i Fishtës do të kthehet në një qendër ndërkombëtare arti.
Në një reagim lidhur me një kronikë televizive për këtë memorial, Gonxhja tha se “Memoriali i Gjergj Fishtës në Lezhë po përgatitet të kthehet në një qendër multifunksionale kreative të përmasave ndërkombëtare. Një bashkëpunim strategjik mes Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe një prej shkollave më prestigjioze të fotografisë në Francë (ESPN), falë përkrahjes nga partnerë evropianë, do të sjellë nga kjo pranverë një frymë të re në zemër të trashëgimisë sonë”.
Sipas Gonxhes, ky projekt ambicioz i mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do ta shndërrojë këtë hapësirë në një pikëtakim për ekologjinë, shkrimin dhe fotografinë.
Ky destinacion i ri kulturor do të përfshijë rezidenca artistike dhe shkëmbime, ku artistë e studentë francezë dhe shqiptarë do të bashkëpunojnë në programe trajnimi dhe kërkimi shkencor. Itinerari i Gjurmëve Fishtjane është si një rrugëtim hulumtues që lidh historinë e Fishtës me arkivën e jashtëzakonshme të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
“Në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë dhe institucione ndërkombëtare, por edhe me promotorët lokalë e agroturizmat e zonës, ky projekt do të kthejë edhe vëmendjen e turistëve drejt bukurive dhe shijeve unike të itenerareve historike të Lezhës. Me mbylljen këtë janar të proceseve të kolaudimit, regjistrimit dhe kalimit në administrim, në mars pritet të nisë zbatimi dhe jetësimi i projektit”, theksoi Gonxhja.
Shtëpia-muze dhe Memoriali i at Gjergj Fishtës ndodhen në fshatin Fishtë (Lezhë), në vendlindjen e poetit, atdhetarit dhe figurës madhore të kulturës shqiptare, at Gjergj Fishta, autor i veprës epike “Lahuta e Malcis”.
Shtëpia-muze ruan objekte personale, dorëshkrime dhe dokumente të rëndësishme që pasqyrojnë jetën dhe veprën e Fishtës, duke shërbyer si një qendër reflektimi për letërsinë dhe identitetin kombëtar.
Memoriali i at Gjergj Fishtës, i ndërtuar mbi truallin e kullës ku ai lindi, është pjesë e projektit “Gjurmë Fishtane” dhe përfshin 12 pika pelegrinazhi që rrëfejnë historinë, kontributin dhe ndikimin e tij në kulturën shqiptare.
Burimi ATSH


















