
Salla: 20 milionë dollarë investim për ndërtimin e shtatë Pikave të Inspektimit Kufitar
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian prioritetet dhe angazhimet e institucionit që ai drejton në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe shëndetit të bimëve, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian prioritetet dhe angazhimet e institucionit që ai drejton në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe shëndetit të bimëve, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës së tij, ministri Salla theksoi se adresimi i rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian 2025 në këto fusha përbën një komponent thelbësor të ecurisë së negociatave në kuadër të Grupkapitullit 5 dhe veçanërisht të Kapitullit 12. “Përmbushja e kërkesave në këtë kapitull nuk kufizohet vetëm në përafrimin e legjislacionit, por kërkon ndërtimin dhe funksionimin efektiv të një sistemi kontrolli të barasvlefshëm me atë të BE-së,” u shpreh ai.
Ministri vuri në dukje se siguria ushqimore lidhet drejtpërdrejt me shëndetin e njeriut, besimin e konsumatorit dhe aftësinë e produkteve shqiptare për të hyrë dhe konkurruar në tregun evropian. Në këtë kuadër, ai theksoi se gjatë periudhës së fundit është punuar intensivisht për përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kontrollit zyrtar në të gjithë zinxhirin “nga ferma në tavolinë”, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e infrastrukturës mbështetëse, si laboratorët dhe pikat e kontrollit kufitar.
Ministri Salla theksoi se përafrimi i legjislacionit mbetet një nga detyrat kryesore të procesit. Ai bëri të ditur se për vitin 2026 parashikohet miratimi i rreth 90 akteve nënligjore dhe 5 akteve zbatuese në fushën e sigurisë ushqimore, 31 akte nënligjore në fushën e veterinarisë për periudhën 2026–2027, si dhe 10 akte nënligjore në fushën fitosanitare gjatë vitit 2026.
Në fjalën e tij, ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Bashkimit Evropian dhe të qeverisë gjermane përmes projektit “EU for Food Safety”, i cili synon përgatitjen e Programit Kombëtar për përmirësimin e standardeve të operatorëve të biznesit ushqimor dhe përmirësimin e cilësisë së qumështit të papërpunuar.
Salla theksoi se përveç hartimit të akteve nënligjore, fokusi do të jetë edhe te forcimi i kontrolleve zyrtare të bazuara në risk, për produktet e importit, eksportit dhe prodhimit vendor, në mënyrë që standardet të zbatohen njësoj në të gjithë territorin.
Në këtë drejtim, ministri bëri të ditur se parashikohet një investim prej rreth 20 milionë dollarësh për ndërtimin e shtatë Pikave të Inspektimit Kufitar, si dhe për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale të AKU-së dhe ISUV-it, të cilat kanë rol kyç në procesin e integrimit evropian dhe kontrollin e importeve dhe eksporteve.
Në përmbyllje, ministri Salla theksoi se procesi i integrimit kërkon angazhim të përbashkët. “Sfida nuk është vetëm të miratojmë aktet sipas BE-së, por t’i zbatojmë ato në praktikë”, u shpreh ai, duke nënvizuar nevojën për më shumë standardizim, investime, trajnime dhe bashkëpunim të ngushtë me bizneset, fermerët dhe shoqatat.
“Ne do të vijojmë mbështetjen praktike për operatorët dhe fermerët, me qëllim forcimin e besimit dhe garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorin”, përfundoi ministri Salla.
/Burimi ATSH


















