
Rama: Shqipëria, nga të parat në Evropë me ligj kundër antisemitizmit dhe edukim për Holokaustin në shkolla
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një fjalimi historik në Parlamentin e Izraelit, ku foli ndër të tjera për rolin e Shqipërisë në ruajtjen e vlerave njerëzore dhe solidaritetin ndërkombëtar.

Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para në Evropë që ka miratuar legjislacion kundër antisemitizmit dhe ka integruar edukimin për Holokaustin në kurrikulat e shkollave.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një fjalimi historik në Parlamentin e Izraelit, ku foli ndër të tjera për rolin e Shqipërisë në ruajtjen e vlerave njerëzore dhe solidaritetin ndërkombëtar.
Duke i referuar periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kryeministri Rama tha kujtoi se “kur të tjerët dorëzonin fqinjët e tyre hebrenj tek autoritetet, shqiptarët i ruanin në siguri”. Ai shtoi se “gjyshërit tanë zgjodhën rrugën e rrezikshme të përgjegjësisë”, duke shpëtuar jetë njerëzish në një kohë kur shumë kombe heshtën ndaj mizorive.
“Tragjedia e Holokaustit nuk ishte vetëm mizoria e pak vetëve, po pasiviteti i shumëkujt. Por në një vend të vogël, në vendin tonë, ndodhi e kundërta. Populli ynë ishte i varfër, nuk kishte pushtet, nuk kishte ushtri apo kufij strategjikë. Por zotëronte diçka pafundësisht më të çmuar për atë moment të historisë: aftësinë për të parë një fytyrë njerëzore dhe për të njohur në të, një detyrim moral. Kur të tjerët dorëzonin fqinjët e tyre hebrenj tek autoritetet, shqiptarët i ruanin në siguri. Kur nënshtrimi u bë aleati i heshtur i së keqes, gjyshërit tanë zgjodhën rrugën e rrezikshme të përgjegjësisë. Dhe duke bërë këtë, ata e ruajtën këtë cep të Evropës njerëzor, në një kohë kur njerëzorja po zhdukej dita-ditës.
“Kjo histori nuk është një dekor për të mbresuar të tjerët. Është busulla që duhet ndjekur nëse duam të mbetemi të denjë për dhuratën e jetës që na është dhënë nga i njëjti Zot, dhe për të bërë diçka të denjë me atë dhuratë në këtë tokë, që fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë të mos vuajnë nesër për shkak të asaj që nuk patëm guximin ta përballim sot apo nuk e nxorrëm mësim nga dje.
“Prandaj Shqipëria ishte ndër vendet e para në Europë që miratoi legjislacion të ri kundër antisemitizmit, prandaj kemi integruar edukimin për Holokaustin në kurrikulat tona shkollore, dhe prandaj po ndërtojmë në këtë moment, në zemër të Europës, dy hapësira të veçanta kulturore të frymëzuara nga forca tërheqëse e shembujve ndriçues të gjyshërve tanë myslimanë dhe të krishterë, që rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar jetë hebreje”, tha Rama.
Rama theksoi angazhimin e Shqipërisë për të mbrojtur ata që janë të përjashtuar apo të kërcënuar, teksa përmendi faktin që vendi ynë i ka ofruar mbrojtje opozitës iraniane si dhe afganëve të larguar nga mullahët e Kabulit.
“Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me hebrenjtë. Ka të bëjë me njerëzimin. Dhe jo me njerëzimin si një fjalë e përgjithshme, po me njerëzillëkun tonë. Për këtë arsye, prej shumë vitesh tashmë, Shqipëria ka ofruar mbrojtje për disa mijëra qytetarë iranianë, opozita e të cilëve ndaj kasapëve të Teheranit ua vuri jetën në rrezik të madh. Nuk ishte pa rrezik as për ne, dhe nuk është pa rrezik as edhe sot. Të mbetesh njerëzor kur e njerëzishmja jote vihet nën presion, nuk është kurrë pa rrezik. Përkundrazi. Dhe pikërisht sepse e morëm përsipër atë rrezik, disa vite më parë Shqipëria pësoi një sulm masiv kibernetik të drejtuar nga Irani, që synonte shkatërrimin e gjithë infrastrukturës sonë publike digjitale. Ne rezistuam. Ata nuk ia dolën.
“Na u tha nga miq të fuqishëm të mos reagonim shumë ndaj Iranit, sepse ata janë të mëdhenj dhe të rrezikshëm. Por ne i dhamë personelit të ambasadës iraniane njëzet e katër orë për të lënë vendin dhe e këputëm edhe fijen krejt të hollë të lidhjes që kishim me Republikën Khomeiniste, të cilën nuk do ta quaj kurrë islamike, sepse Islami është dashuri dhe përulësi, ndërsa khomeinizmi është urrejtje dhe vdekje.
“Dhe nuk është e shkruar këtu, por thjeshtë dua të bëj atë çfarë Bibi bën gjatë gjithë kohës, të dalë nga fjala e shkruar dhe të them sa vijon: Një mike e jona, bashkëshorti i të cilës është iranian, më tha që pak ditë më parë në një treg në Teheran, njerëzit ishin të pranishëm dhe ndërkohë u vu zjarri dhe tregu u rrethua nga vrasësit. Njerëzit kishin dy zgjedhje: ose të digjeshin nga flakët brenda tregut, ose të vriteshin në dyert e tregut. Por pyetja ime është kjo: Si është e mundur?! Që ndërkohë që media globale flet për 30 mijë njerëz të vrarë për tri ditë, nuk ka mbledhje në asnjë shesh të botës kundër ajatollahëve për të bërë thirrje për fundin e këtij regjimi. Natyrisht është një pyetje që nuk kërkon përgjigje prej jush. Ju e dini përgjigjen. Dhe siç ofruam mbrojtje për ata që u vunë në shënjestër nga mullahët e Teheranit, Shqipëria u bë gjithashtu strehë për disa mijëra të tjerë të shënjestruar nga mullahët e Kabulit, gjatë kaosit që krijoi tërheqja e çrregullt e forcave të koalicionit nga Afganistani”, tha Rama.
Rama përshëndeti solidaritetin ndërkombëtar të qytetarëve në ShBA si dhe kryeministrit të Katarit për rolin e tyre kyç në strehimin e afganëve, duke mundësuar shpëtimin e mijëra jetëve.
“Kur shumë të tjerë, më të mëdhenj dhe më të pasur, kthyen shpinën, pasi kishin qenë atje, pasi i kishin premtuar atyre njerëzve liri, demokraci, të drejta për të gjithë e pasi i kishin marrë që të pastronin makinat e tyre, shtëpitë e tyre u zhdukën, ndoshta sepse më të mirët dhe më të ndriturit e shoqërisë së Kabulit nuk ishin mjaftueshëm të bardhë apo ishin tepër myslimanë për ta, por ne patëm bekimin të përfshihemi në rrjetin më të jashtëzakonshëm të solidaritetit që kam parë ndonjëherë. Financimi, logjistika dhe lidhjet u mblodhën jashtë vendit si uragan. Dhe nuk ishte qeveria e ShBA që e organizoi. Ishin qytetarë amerikanë nga çdo shtresë e fushë e jetës dhe përtej ndarjeve politike, të cilët mobilizuan njerëzillëkun e tyre për të shpëtuar jetë përmes një zinxhiri të jashtëzakonshëm duarsh, që formuan një trekëndësh mes Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Katarit, ku ministri i Jashtëm i Katarit i asaj kohe, sot Kryeministër, Mohammed bin Abdulrahman, u shndërrua në një lloj kulle kontrolli të shpresës dhe e ktheu aeroportin e Dohas në një rrugë shpëtimi drejt jetës, për mijëra njerëz që u pritën me dhembshuri në Shqipëri”, tha Rama.
Marrë nga ATSH



















