
Mblidhet Komiteti i Emergjencave Civile, Vengu: Institucionet në gatishmëri të plotë
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu mblodhi sot në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, ku u diskutua situata e krijuar nga reshjet intensive të shiut gjatë 24 orëve të fundit, në vend.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu mblodhi sot në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, ku u diskutua situata e krijuar nga reshjet intensive të shiut gjatë 24 orëve të fundit, në vend.
Gjatë takimit u bë një analizë e detajuar e situatës në terren, me fokus zonat më të prekura nga përmbytjet, rrëshqitjet e dherave dhe problematikat në infrastrukturë.
Strukturat përgjegjëse raportuan mbi masat e marra deri tani, ndërhyrjet emergjente dhe nevojat për mbështetje shtesë.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu kërkoi gatishmëri të plotë të të gjitha institucioneve, koordinim të vazhdueshëm mes strukturave qendrore dhe vendore si dhe monitorim të pandërprerë të situatës, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve.
Gjatë 24 orëve të fundit, pjesa më e madhe e territorit të vendit është përfshirë nga reshje intensive shiu, të cilat në disa qarqe kanë shkaktuar problematika, pa pasoja serioze për jetën e qytetarëve.
Situata po monitorohet me prioritet në qarqet Lezhë dhe Durrës, ku janë evidentuar prani uji në disa akse rrugore dhe rritje të ndjeshme e niveleve të lumenjve.
Sipas IGJEO-s, reshjet intensive pritet të vijojnë deri më 8 janar.
Strukturat e mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë në gatishmëri të plotë.
Qytetarëve u rekomandohet të shmangin zonat me risk dhe të kërkojnë ndihmën e autoriteteve në rast nevoje.



















