
Fond i posaçëm prej 15 milionë euro për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale
Kryeministri Edi Rama tha sot se sektori i shëndetësisë është futur në një fazë të re të thellimit të reformës, si edhe në një përmirësim të mëtejshëm të menaxhimit të spitaleve publike.

Kryeministri Edi Rama tha sot se sektori i shëndetësisë është futur në një fazë të re të thellimit të reformës, si edhe në një përmirësim të mëtejshëm të menaxhimit të spitaleve publike.
Duke u ndalur në sektorin e shëndetësisë në vend, gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, Rama tha se prej marsit ka filluar në spitalin “Memorial” të Fierit zbatimiiI autonomisë financiare, të cilin Rama e konsideroi një hap të madh.
Kryeministri Rama shtoi se autonomia menaxheriale po zbatohet edhe në 12 spitale rajonale dhe terciare në vend.
“Janë në proces për të filluar këtë transformim dhe katër spitale të reja, kjo do të thotë një ndryshim epokal për shërbimin tonë publik shëndetësor. Kemi hedhur një hap domethënës në funksion të rritjes së kapacitetit të trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale që janë bërë gjithmonë e më prezente në jetën e vendit dhe faktikisht është një tendencë botërore që ka një rritje shumë agresive të kancerit në përgjithësi. Kemi vendosur një fond të posaçëm plus prej 15 milionë euro, ndërkohë kemi filluar punën për krijimin e Institutit Kombëtar të Tumoreve në Shqipëri dhe rrjetëzimin e shërbimit të kimioterapisë edhe në një sërë spitalesh të tjera për të ulur fluksin shumë të madh që ka spitali këtu në Tiranë dhe për të rritur ndjeshëm kapacitetin e shërbimit”, tha Rama.
Rama u shpreh se janë një sërë programesh të reja falas që futen në proces që nga shërbimi i trombektomisë te rikonstruksioni i gjirit për 350 paciente, te transplanti i kornesë së syrit, paketat e reja të kirurgjisë dhe kardiokirurgjisë, transplanti i veshkës etj.
/Marrë nga ATSH


















