Kina 2025 – Viti i përballjeve strategjike, vizionit përtej presionit dhe arritjeve përtej zhurmës

Viti 2025 do të mbetet i veçantë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke u shënuar si një periudhë ku tensionet midis dy ekonomive më të mëdha të botës – Kinës dhe Shteteve të Bashkuara – arritën një nivel të ri.


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)

Viti 2025 do të mbetet i veçantë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke u shënuar si një periudhë ku tensionet midis dy ekonomive më të mëdha të botës – Kinës dhe Shteteve të Bashkuara – arritën një nivel të ri. Nëse do të gjenim një metaforë për këtë vit në marrëdhëniet midis tyre, ai do të ishte një shah multidimensional, ku çdo lëvizje e bërë në tabelën e tregtisë kishte pasojë të menjëhershme në fushën teknologjike, diplomatike, gjeostrategjike dhe manovra të mëdha në hije.


Më 30 tetor të vitit 2025, Presidenti kinez Xi Jinping u takua me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në Busan./Foto nga Xinhua

Viti 2025 do të mbahet mend si një pikë kthese në marrëdhëniet midis dy fuqive më të mëdha ekonomike globale. Nga tensionet tregtare e teknologjike te samitet diplomatike, ky vit provoi edhe një herë aftësinë e Pekinit për qëndrueshmëri strategjike, përballë një presioni të jashtëzakonshëm, dhe krijoi baza që do të ndikojnë në skenarin global për vitin 2026.

“Lufta tregtare” – kryefjala e vitit

Ky ishte viti kur ShBA-të u përpoqën t’i shpallnin luftë ekonomike Kinës, dhe Kina iu kundërpërgjigj. Një nga karakteristikat kryesore të vitit ishte intensifikimi i luftës tregtare midis tyre. Tarifat dhe barrierat e tjera ekonomike u bënë një sfidë e vazhdueshme për ekonominë kineze, por, ndryshe nga pritshmëritë e shumta që parashikonin një ngadalësim të konsiderueshëm të ekonomisë kineze, vendi tregoi rezistencë dhe aftësi të jashtëzakonshme për të përballuar presionet e jashtme. Strategjitë e ndërmarra nga Pekini – përfshirë forcimin e sektorëve kyç industrialë, investimet në teknologji të avancuar dhe promovimin e marrëdhënieve tregtare me partnerë alternativë – demonstruan një qasje të menduar mirë dhe të qëndrueshme ndaj sfidave globale.

Administrata amerikane vendosi tarifa mbi importet kineze, ndërsa Kina reagoi me masa reciproke. Sipas analizave të politikave tregtare, Shtetet e Bashkuara ngritën tarifat mesatarisht në nivelin e 12.4 %, ndërsa disa sektorë, si ai i çipave dhe aluminit, u goditën më fort, deri në 25 % në raste specifike. Këto masa ndikuan në ristrukturimin e zinxhirëve globalë të furnizimit dhe shtuan pasiguri në tregjet ndërkombëtare. Për të menaxhuar këtë realitet, Kina përdori masa të kujdesshme, duke vendosur tarifa mbi disa produkte amerikane dhe duke kërkuar konsultime në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) për disa masa amerikane, duke treguar angazhim në sistemin ndërkombëtar dhe strategji të disiplinuar diplomatike.

Shtetet e Bashkuara vazhduan me politikën e “ristrukturimit të zinxhirit të furnizimit”, duke shtuar tarifa sektoriale dhe duke rreptësuar rregullat e origjinës, veçanërisht në sektorët e automjeteve elektrike, baterive dhe energjisë së rinovueshme. Në vend të një reagimi emocional, Kina u përgjigj me diversifikim strategjik. Eksportet u ridrejtuan në mënyrë agresive drejt tregjeve në zhvillim në Azinë Juglindore, Amerikën Latine dhe BRICS+.

Rritja shumë-shifrore e eksporteve të automjeteve elektrike kineze në Rusi, Brazil, Tajlandë dhe Meksikë tregoi se kërkesa globale për teknologji të përballueshme dhe cilësore ishte më e fortë se barrierat politike. Fabrikat kineze u vendosën drejtpërdrejt në këto tregje, duke anashkaluar tarifat amerikane. Si rezultat Bilanci tregtar i Kinës me ShBA-të mund të ketë rënë, por performanca tregtare e Kinës në nivel global ka kapur rekord historik në 2025.

“Lufta teknologjike” çipat, IA dhe bllokimet e tregut

Një element tjetër kyç i vitit 2025 ishte intensifikimi i rivalitetit teknologjik midis dy fuqive. ShBA-ja përpiqej të kufizonte qasjen e Kinës në teknologji kritike, duke përfshirë gjysmëpërçuesit dhe inteligjencën artificiale. Në këtë sfond, Kina nuk u tërhoq, por shfrytëzoi mundësinë për të nxitur inovacionin e brendshëm dhe zhvillimin e teknologjive të reja, duke siguruar një autonomi më të madhe teknologjike për të ardhmen.


Çipat/Foto nga VCG

Përtej tarifave, vitit 2025 u karakterizua nga një përplasje e thellë teknologjike midis dy vendeve. ShBA-ja vendosi kufizime të rrepta mbi eksportin e çipave të avancuar me justifikimin e “sigurisë kombëtare.” Kjo ndikoi jo vetëm në firmat amerikane, por edhe në mënyrën sesi Kina aksesonte teknologjinë e avancuar. Një zhvillim kyç ishte marrëveshja midis kompanive amerikane NVIDIA dhe AMD dhe qeverisë amerikane për eksportet e çipave drejt Kinës, ku këto kompani pranuan të paguajnë një tarifë 15 % të të ardhurave nga shitjet në Kinë në këmbim të lejeve të eksportit. Kjo marrëveshje tregoi se edhe në kushtet e tensionit të lartë, mund të arrihen kompromise të kufizuara që lehtësojnë disi presionin në sektorin e teknologjisë.

Përkundër pritshmërive të skeptikëve, vendi arriti të konsolidojë ekonominë, të përmirësojë balancat tregtare dhe të forcojë sektorët kyç të teknologjisë. Ky sukses nuk ishte vetëm një rezultat i politikave ekonomike, por edhe i një qasjeje strategjike që përfshinte analizën e kujdesshme të rivalitetit me ShBA-në, vlerësimin e pasojave të çdo vendimi dhe planifikimin e veprimeve për vitin e ardhshëm.

Sanksionet amerikane kundër kompanive kineze të teknologjisë së lartë (në fusha si IA, gjysmëpërçuesit, bioteknologjia) u shtrënguan. Aksesi në softuer dhe pajisje të avancuara të dizajnit të çipeve u kufizua akoma më shumë. Kina u kundërpërgjigj me një përparim të paprecedent në “zëvendësimin e brendshëm” (import substitution). P.sh. Kompania kineze SMIC arriti të prodhojë masivisht çipa 7nm dhe të përparojë në teknologjinë 5nm, duke përdorur pajisje të modifikuara jo-amerikane dhe duke zhvilluar teknikat e veta. Ndërkohë, gjiganti i bioteknologjisë BGI arriti të zhvillojë platforma konkurruese të sekuencimit të ADN-së, duke reduktuar varësinë nga kompanitë amerikane Illumina dhe Thermo Fisher.

Bllokimi përshpejtoi dhe nxiti një tjetër trend të quajtur nga New York Times dhe The Economist “efekt/moment Sputnik” në Kinë (një ngjarje kritike që vepron si një tronditje në fushën teknologjike). Kina duke u izoluar nga ShBA-të për sa më sipër përshpejtoi dhe intensifikoi investimet masive në kërkim shkencor dhe teknologjik duke përparuar me hapa gjigande dhe duke krijuar një ekosistem teknologjik më të mbyllur, por gjithnjë e më shumë të aftë.


Më 14 korrik, Li Chenggang, Zëvendësministri i Tregtisë dhe Përfaqësuesi i Tregtisë Ndërkombëtare i Kinës, u takua me një delegacion të kompanive anëtare të udhëhequr nga Michael Hart, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kinë.Foto nga Ministria e Tregtisë e Kinës

E famshmja “The Economist” në fund të dhjetorit kishte një titull “Kina vërtetoi pikat e saj të forta në vitin 2025 – dhe Donald Trump ndihmoi. Ishte një vit i mirë për Xi Jinping.” Ajo vazhdon duke shënuar se ky vit tregoi fuqinë industriale të Kinës. Pjesa e Kinës në vlerën e shtuar të prodhimit botëror tejkalon një të tretën, duke i dhënë asaj fuqinë për të prishur zinxhirët globalë të furnizimit brenda natës. Në teknologjinë e gjelbër, firmat kineze furnizojnë materialet, përbërësit dhe mallrat e gatshme për 60-80% të paneleve diellore, turbinave me erë dhe automjeteve elektrike. DeepSeek tregoi se çfarë mund të bëjë Kina në inteligjencën artificiale, pavarësisht përpjekjeve më të mira të Amerikës për ta penguar atë. Firmat farmaceutike të Kinës tani kryejnë pothuajse po aq prova klinike sa homologët e tyre amerikanë – dhe i bëjnë ato më shpejt. Dy dekada më parë, firmat perëndimore investuan në Kinë për të përfituar nga prodhuesit e saj të lirë dhe tregu i madh. Sot ato ndërtojnë laboratorë atje.

Pikë kthese?

Kur kthehemi pas dhe shikojmë retrospektivën e vitit 2025, bëhet e qartë se cilësia e menaxhimit strategjik të Pekinit ka tejkaluar pritshmëritë Perëndimore. Kina nuk ishte thjesht në reagim ndaj presionit amerikan; ajo formësoi një strategji që e bëri rivalitetin më të parashikueshëm dhe më të menaxhueshëm.

Optimizmi i zyrtarëve amerikanë për aftësinë e tyre për të luajtur ashpër me Pekinin nuk pati rezultat! Tarifat 145% të vendosura nga Trump ishin një instrument më i ashpër. Por në atë rast u mendua se konsumatorët amerikanë ishin arma e luftës tregtare. Por ndodhi se tarifat shkaktuan rënien e tregut të aksioneve dhe kishin rritur frikën e një recesioni vetëm në ShBA.

Por, Kina nuk po merrte vetëm goditjet e ShBA-së, por po kundërpërgjigjej. E bëri këtë duke vendosur tarifa prej 125% të veta dhe duke ndaluar blerjet e sojës amerikane, por më e rëndësishmja, filloi ta shndërronte në armë një pikë të vështirë. Në prill, Kina njoftoi se po pezullonte eksportin e një game metalesh të rralla dhe magnetesh – materiale thelbësore për prodhuesit amerikanë të automobilave, elektronikës dhe mbrojtjes – rreth 90 % e të cilave prodhohen në Kinë. Kjo shkaktoi panik midis liderëve të industrisë kur u bë e qartë se ata kishin vetëm javë rezervë të disa prej këtyre materialeve, dhe sipas Washington Post, “provokoi një shqetësim të thellë në nivele të larta të administratës”, duke çuar në zbutjen e tonit të Trump kundër Pekinit.

Nga korriku deri në shtator, udhëheqësi Xi Jinping zhvilloi vizita zyrtare në Vietnam, Malajzi dhe Kamboxha, për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe partneritetet strategjike. Gjatë periudhës tetor-dhjetor, Samiti i BRICS i zgjeruar u shndërrua në një platformë kyçe për promovimin e një rendi shumëpolar dhe për krijimin e sistemeve alternative financiare, ndërsa marrëveshjet për përjashtime nga tarifat në disa produkte teknologjike u shtynë deri në vitin 2026, duke krijuar hapësira diplomatike dhe tregtare që zvogëluan tensionet dhe forcuan pozicionin global të Kinës. Kina pranoi të ndalojë kufizimet e saj për metalet e rralla për një vit pas takimit Trump-Xi në tetor (dhe rifilloi blerjen e sojës), por nuk i ka hequr ato plotësisht, dhe ato gjithmonë mund të shtrëngohen përsëri.

Pavarësisht masave tregtare dhe teknologjike të ShBA-së, ekonomia kineze tregoi rezistencë të jashtëzakonshme gjatë vitit 2025. Qeveria kineze miratoi politika për të mbështetur rritjen e brendshme dhe për të mbajtur balancat makroekonomike në trajektore pozitive. Kjo përfshiu fokusim në inovacion teknologjik, nxitje të investimeve në sektorë kyç dhe një strukturë më të fortë të zinxhirëve të furnizimit. Kritikët ndërkombëtarë shpesh pretendojnë se presionet tregtare do të dobësonin ekonominë kineze, por treguesit ekonomikë zyrtarë dhe komentet e institucioneve treguan se rritja ekonomike arriti objektivat e vendosura, duke reflektuar një kombinim të politikave fiskale, monetare dhe reformave strukturore që mbështetën qëndrueshmërinë përtej parashikimeve.

Duke parë drejt vitit 2026

Duke parë drejt vitit 2026, perspektivat duken të lidhura ngushtë me aftësinë e Kinës për të mbajtur këtë qasje të balancuar. Rezistenca ndaj presioneve të jashtme, kombinimi i inovacionit teknologjik me diplomacinë strategjike, dhe vizioni afatgjatë i Pekinit parashikojnë një vit ku marrëdhëniet Kinë–ShBA do të vazhdojnë të jenë sfiduese, por më të strukturuara. Kina do të vazhdojë të investojë në sektorët kyç të ekonomisë, të zgjerojë bashkëpunimin me partnerë globalë dhe të ruajë autonominë strategjike, duke krijuar një model që demonstron qëndrueshmëri përtej presionit dhe parashikimeve. Për vitin 2026, pritet intensifikimi i Garës Teknologjike. Fokusi do të kalojë nga “bllokimi” në “përshpejtim”. Të dyja superfuqitë do të investojnë më shumë në teknologji revolucionare (kuantike, IA e përgjithshme, fuzioni).

Realiteti na tregon se sfidat në marrëdhëniet Kinë–ShBA nuk do të zhduken, por ka sinjale se të dy palët janë duke krijuar një balancë më të qëndrueshme midis rivalitetit dhe bashkëpunimit të kontrolluar.


Më 28 korrik të vitit 2025, grupet tregtare të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara zhvilluan bisedime tregtare në Stokholm të Suedisë. He Lifeng, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe Zëvendëskryeministër i Këshillit të Shtetit, u takua me Sekretarin e Thesarit të SHBA-së Bessenter./Foto nga VCG

Ndërsa bota pret zhvillimet e vitit 2026, Pekini duket gati të vazhdojë këtë qasje strategjike, duke treguar se çdo presion amerikan mund të kthehet në një mundësi për konsolidim dhe rritje të qëndrueshme. Ky kombinim i qëndrueshmërisë ekonomike, menaxhimit të sfidave dhe vizionit afatgjatë e bën Kinën një aktor të fortë dhe të parashikueshëm në skenën globale për vitet që vijnë. Viti 2026 sjell sfidën e re: a do të mundësojë kjo “qëndrueshmëri” jo vetëm mbijetesën, por edhe një përparim cilësor të modelit kinez në skenën botërore? Përgjigjja do të formohet pikërisht në frontet e vështira të teknologjisë dhe diplomacisë që u definuan me ashpërsi në vitin që sapo lamë pas.

Sipas Associated Press, Donald Trump tha se do të vizitojë Pekinin në prill të vitit 2026. Nëse kjo vizitë ndodh vërtet, strategët kinezë janë shumë të vetëdijshëm për rreziqet dhe mundësitë që kjo vizitë mund të paraqesë. Ekziston një kujdes i thellë, i rrënjosur në përvojën historike, në lidhje me tërheqjen nga ato që ata i shohin si konflikte të brendshme politike të Amerikës. Me shumë gjasa, marrëveshjet dhe detajet e vizitës do të planifikohen me kujdes për të qenë politikisht të sigurta, duke u përqendruar në komunikimin e gjerë strategjik dhe jo në arritjen e marrëveshjeve transaksionale. Një vizitë e tillë përfshin një operacion të ndërlikuar diplomatik.

Së fundmi, viti 2025 do të kujtohet si viti kur Kina rishpiku modelin e saj të rritjes nën presion ekstrem. Ajo dëshmoi se në një luftë të gjatë të qëndrueshmërisë, aftësi ripërtëritëse dhe sistematike, koordinimi shtetëror dhe tregu i brendshëm masiv janë më të fuqishme sa tarifat dhe sanksionet. Në fund të fundit, 2025 nuk ishte thjesht një vit sfidash të jashtme, por një vit ku Kina tregoi se mund të menaxhojë rivalitetin global me maturi, disiplinë dhe vizion.

Konkurrenca nuk do të thotë domosdoshmërisht konflikt, dhe si Uashingtoni ashtu edhe Pekini kanë një nxitje për të ruajtur stabilitetin relativ, për të siguruar rritje dhe për të shmangur krizat. Kjo krijon hapësira të ngushta për bashkëpunim të kushtëzuar. Megjithatë, në përgjithësi, konkurrenca do të përshkojë të gjitha fushat, nga ekonomia dhe teknologjia te siguria. Prandaj, çfarë po ndodh nuk është vetëm produkt i kontekstit aktual strategjik, por ofrojn edhe të dhëna themelore për të kuptuar më mirë se si dy fuqitë më të mëdha të botës do ta formësojnë rendin ndërkombëtar në dekadën e ardhshme – një rend i karakterizuar nga ndarja rajonale, diversifikimi dhe më shumë shtresa pushteti sesa modeli tradicional unipolar ose bipolar.

Burimi CGTN

Muzikali “Katedralja” në skenën e teatrit “Andon Z. Çajupi” të Korçës

Shfaqja e bazuar në kryeveprën e Viktor Hygoit solli univers të fortë emocional dhe dramatik. Salla e teatrit ishte e…

Global 360

Spiropali: Zgjedhjet në Kosovë, shprehje e pjekurisë demokratike

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali uroi sot popullin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit…

Diplovista

Linda Rama në Katar, reflektime mbi tranzicionin, kompleksitetin global dhe përgjegjësinë e atyre që drejtojnë

Linda Rama, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama zhvilloi një bisedë me Laila Humairah në Qendrën për Lidership të Katarit.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

100-vjetori i themelimit të Urdhrit të Skënderbeut

Një tubim shpirtëror ishte eventi përkujtimor i 100-vjetorit të themelimit të Urdhrit të Skënderbeut dhe i shugurimit të Urdhrave të…

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Muzikali “Katedralja” në skenën e teatrit “Andon Z. Çajupi” të Korçës

Shfaqja e bazuar në kryeveprën e Viktor Hygoit solli univers të fortë emocional dhe dramatik. Salla e teatrit ishte e…