
Urgjenca Kombëtare në gatishmëri gjatë festave të fundvitit
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, e shoqëruar nga kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj vizituan kantierin e ndërtimit të qendrës rajonale të Urgjencës Mjekësore në Vlorë, ku u ndalën te masat e marra për gatishmërinë e ekipeve mjekësore gjatë festave të fundvitit.

Shërbimi i Urgjencës Kombëtare Mjekësore krahas sistemit shëndetësor parësor në të gjithë vendin, do të vijojë punën pa ndërprerje, me qëllim garantimin e shërbimeve të menjëhershme dhe cilësore për qytetarët, gjatë periudhës së festave të fundvitit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, e shoqëruar nga kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj vizituan kantierin e ndërtimit të qendrës rajonale të Urgjencës Mjekësore në Vlorë, ku u ndalën te masat e marra për gatishmërinë e ekipeve mjekësore gjatë festave të fundvitit.
Duke folur për rëndësinë e kësaj qendre, Brataj e informoi ministren Sala mbi projektin, i cili sipas tij, është mjaft funksional duke e bërë këtë qendër me kapacitete të mjaftueshme për të përballuar fluksin e urgjencave.
Brataj theksoi se bazuar në Urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale janë forcuar kapacitetet e shërbimeve për datën 31 dhjetor, dhe 1 dhe 2 janar.
“Janë tri ditët e impenjimit tonë më të madh dhe shqetësimit në lidhje me traumat që mund të ndodhin nga aksidentet, përdorimi i alkoolit apo përdorimi i mjeteve piroteknike. Kemi shtuar ekipet natën e ndërrimit të viteve, kemi shtuar medikamentet dhe materialet mjekësore. Kemi po ashtu edhe një listë me personelin e gatishmërisë nëse do të jetë e nevojshme, në veçanti në Tiranë, në Spitalin e Traumës”, tha Brataj.
Po ashtu Brataj informoi se natën e ndërrimit të viteve janë aktivizuar ekipe shtesë vetëshërbimi pranë shesheve të qyteteve ku festohet.
Ai siguroi se masat e propozuara janë në lartësinë e duhur dhe Urgjenca Kombëtare do të jetë në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.
Nga ana e saj, ministrja Sala falënderoi gjithë stafin e Urgjencës Kombëtare për shërbimin, gatishmërinë, profesionalizmin dhe pasionin që tregojnë.
“Gatishmëria juaj është një siguri për qetësinë, mbarëvajtjen e festave dhe gjithë sistemin shëndetësor”, u shpreh ministrja Sala.
Spitalet dhe Urgjenca Mjekësore do të jenë në gatishmëri 24 orë në ditët festive. Urdhri, i firmosur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala përcakton sigurimin e gatishmërisë të shërbimeve shëndetësore gjatë sezonit të festave, me qëllim garantimin e kujdesit shëndetësor dhe sigurisë për qytetarët, pa asnjë ndërprerje, veçanërisht në datat 31 dhjetor 2025 dhe 1-2 janar 2026.
Në zbatim të këtij urdhri, ekipet e Urgjencës Mjekësore dhe strukturat spitalore në të gjithë vendin janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo rast emergjent, përfshirë traumat si pasojë e aksidenteve rrugore, tejkalimit të përdorimit të alkoolit apo përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë festimeve.
Burimi ATSH


















