
Ahmetaj: Sistemi financiar shqiptar i përgatitur për sfidat klimatike
Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj mori pjesë në Konferencën Kombëtare të Financave të Klimës, organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Instituti i Kërkimeve Urbane, me mbështetjen e UNESCO-s.

Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj mori pjesë në Konferencën Kombëtare të Financave të Klimës, organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Instituti i Kërkimeve Urbane, me mbështetjen e UNESCO-s.
Në fjalën e saj, zëvendësguvernatorja Ahmetaj theksoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për integrimin progresiv të rreziqeve klimatike dhe të tranzicionit në kuadrin e stabilitetit monetar dhe financiar, duke i trajtuar ato si sfida reale për sistemin bankar dhe ekonominë kombëtare.
Ajo tha se, “sistemi financiar shqiptar është i përgatitur për sfidat klimatike”, teksa evidentoi arritjet e Strategjisë së Parë të Gjelbër 2022–2025, që përfshijnë: Ngritjen e grupit të punës për financat e gjelbra; Zhvillimin e treguesve klimatikë dhe financiarë; Vlerësimet e para të ekspozimit ndaj rreziqeve klimatike dhe realizimin e provës së parë të rezistencës ndaj rrezikut të tranzicionit.
Duke u mbështetur në këto hapa, theksoj Ahmetaj, Banka e Shqipërisë ka nisur hartimin e Strategjisë së Dytë të Gjelbër 2026–2028, e fokusuar në: Thellimin e integrimit të rreziqeve klimatike në mbikëqyrje dhe stabilitet financiar; Zhvillimin e kërkimit analitik; Forcimin e bazës për zhvillimin e mëtejshëm të financave të qëndrueshme në vend.
Gjithashtu vijoj ajo, një element kyç në këtë proces është Taksonomia e Gjelbër Kombëtare, e cila synon të krijojë një gjuhë të përbashkët për identifikimin e aktiviteteve ekonomike të qëndrueshme, të ulë rrezikun e greenwashing dhe të mbështesë zhvillimin e produkteve financiare të gjelbra në Shqipëri.
Zëvendësguvernatorja nënvizoi se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar që sistemi financiar të jetë më i qëndrueshëm, më rezistent ndaj rreziqeve klimatike dhe më aktiv në mbështetjen e tranzicionit të gjelbër.
/Burimi ATSH



















