Drejtuesi i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa u shpreh sot se është i nevojshëm një kuadër të ri ligjor ndaj të gjitha masave që duhet të merren mbi kërcënimet online ndaj fëmijëve.
Tafa e bëri këtë deklaratë gjatë tryezës së zhvilluar me temë “Mbrojtja e Fëmijëve Online” organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Në këtë tryezë e pranishme ishte edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila tha se MA ka nxjerrë urdhrin i cili ndalon përdorimin e telefonëve celularë gjatë orarit të mësimit, ndërsa bëhet një punë e vazhdueshme që ky urdhër të vijojë të zbatohet.
“Ministria e Arsimit këtë shtator ka nxjerrë një udhëzim i cili ndalon futjen e celularëve në klasë, në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Nga ky shtator, janë ndërtuar nëpër klasa kutitë e vogla dhe mësuesit dhe drejtorët e shkollës janë përgjegjës që të gjithë nxënësit që nxënësit t’i fusin celularët në mëngjes në ato kuti dhe i marrin kur dalin. Është tentuar disa herë, por këtë vit është bërë taksative, po zbatohet me rreptësi dhe nuk po them që u zgjidh, por vazhdojmë rregullisht t’iu kërkojmë mësuesve dhe drejtorëve ta zbatojnë me rreptësi. Nga ana tjetër, fëmija në shkollë kalon nga 4-6 orë dhe po marrim një tjetër iniciativë që ta zgjasim kohën e qëndrimit të tij në shkollë për të ekuilibruar atë hapësirë të kohës me një program më të madh që e kemi quajtur program passhkollor duke futur dhe aktivitete të tjera, si programi “Art dhe Zeje””, tha ministrja Kumbaro.
Më tej, në diskutimin e saj, ministrja e Arsimit nënvizoi se është futur përdorimi i teknologjisë në shkolla që në klasat fillore dhe mësuesit trajnohen intensivisht, për të krijuar një ekuilibër të shëndetshëm mes përdorimit të saj, por edhe aktiviteteve kreative, edukative dhe socializuese, ndërsa bashkëpunimi me prindërit është kyç në arritjen e një suksesi të përbashkët.
“Ne kemi futur lëndën e TIK (teknologji informacioni dhe komunikimi), kemi futur SmartLab-et, ndërsa brenda dy viteve të ardhshme do të pajisim një mijë shkolla me SmartLabe, me laboratorë inteligjentë që për klasat fillore deri tek gjimnazistët, me të gjithë tabelat inteligjente dhe 5500 laptopë me të cilët do të pajisen 5500 mësues të gjimnazeve, është një investim i madh teknologjik që shoqërohet me gjithë kurrikulën dhe një paketë trajnimi shumë intensiv nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar për mësuesit”, tha Kumbaro.
“Por mësuesit dhe shkollat, pa prindërit nuk mund të kenë sukses. Dhe me prindërit nuk funksionon as me urdhra, as me detyrim, as me ligj. Vetëm me komunikim. Ne nuk do të kemi asnjë betejë të fituar po nuk u ndërgjegjësuam të gjithë dhe ky ndërgjegjësim u ngjan rrathëve të ujit. Nëpër shkolla kemi futur TIK-un, por po fusim edhe “Art dhe Zeje”, që fëmijët të bëjnë sa më shumë aktivitete me duart e tyre, por në një mënyrë sa më atraktive. Ministria e Arsimit është në ndërtim të të gjitha mundësive për të ecur paralelisht me bashkëjetesën pa kushte dhe të domosdoshme me teknologjinë e cila është e sotmja dhe e ardhmja, por sa më shumë të jetë e mundur edhe me mbajtjen e kontakteve me disa aktivitete të tjera që janë edukative, por edhe njerëzore”, përfundoi ministrja Kumbaro.
Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, u shpreh se është shumë i nevojshëm koordinimi institucional që do t’i shërbejë një kuadri të ri ligjor në Kodin e Ri Penal ndaj kërcënimeve online.
“Bota online, aq e nevojshme dhe e domosdoshme për të gjitha transformimet digjitale të ekonomisë së vendit, bëhet njëkohësisht edhe një ambient i rrezikshëm në raste të caktuara për fëmijët tanë. Sot jemi dëshmitarë që fëmijët tanë përballen me bullizmin online, shantazhimin online, por edhe me një teknologji tashmë të re siç është “Deep Fake”. E kemi shumë të nevojshëm mbledhjen, organizimin dhe koordinimin për atë që do të çojë në një kuadër të ri ligjor ndaj të gjitha masave që duhet të merren mbi kërcënimet online ndaj fëmijëve duke bërë bashkë të gjithë aktorët”, u shpreh ai.
Burimi ATSH



















