
Pr.ligji për fshirjen e detyrimeve, përfshihen edhe ato ndaj administratës vendore
Komisioni Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miratoi sot projektligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore, qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë“.

Komisioni Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miratoi sot projektligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore, qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë“.
Komisioni miratoi amendimet e propozuara nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe i cili kërkoi që të fshihen edhe detyrimet që subjektet dhe qytetarët i kanë pushtetit vendor deri 10 vite përpara.
Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiri tha se ka pasur një diskutim edhe me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor dhe është rënë dakord.
Por subjekteve apo qytetarëve që kanë detyrime ndaj administratës së pushtetit vendor nuk u ofrohet mundësia për fshirje/shuarje të pjesshme të detyrimeve për periudhën 1 janar 2015, deri më 31 dhjetor 2019.
Deputeti i PD-së, Enno Bozdo kërkoi që në projektligj të përfshihet një nen, i cili të bëjë të detyrueshëm publikimin e listës së plotë të 3 mijë tatimpaguesve që kanë rezultuar me fshirjen, shuarjen më të madhe të detyrimeve sipas përcaktimeve të këtij ligji.
“Në çdo rast në listë të përfshihen të gjithë tatimpaguesit, subjektet që iu është shuar detyrimi jo më i vogël se 5 milionë lekë”, tha Bozdo.
Një nga pikat kryesore të projektligjit është fshirja e detyrimeve tatimore për tatimpaguesit që janë të çregjistruar nga Qendra Kombëtare e Bizneseve (QKB) ose që kanë vendim gjykate për këtë çregjistrim deri më 31 dhjetor 2024. Po ashtu, projektligji përfshin dhe dënimet administrative të shkaktuara nga vonesat në deklaratat tatimore, përfshirë ato që lidhen me të punësuarit, të cilat do të fshihen plotësisht, nëse tatimpaguesi plotëson kushte të caktuara deri në fund të vitit 2024.
Një tjetër dispozitë që parashikohet është kompensimi i tepricës kreditore të TVSH-së ose të tatimeve të tjera nga tatimpaguesit. Ata që kanë një tepricë do të mund të shlyejnë detyrimet tatimore deri në masën e tatimit të papaguar. Megjithatë, ky kompensim nuk do të aplikohet për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Për detyrimet e papaguara në Doganë, projektligji parashikon fshirjen e plotë për periudhën deri në vitin 2014, ndërsa për periudhën 2015-2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë nga fshirja e pjesshme nëse paguajnë një pjesë të detyrimit. Saktësisht, ata që paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026 do të mund të fshijnë pjesën tjetër të detyrimit, ndërsa ata që paguajnë 75% deri në fund të vitit 2026 mund të përfitojnë fshirjen e 25% të borxhit të mbetur. Po ashtu, gjobat dhe kamatëvonesat për këto periudha do të fshihen plotësisht.
Projektligji gjithashtu thekson se tatimpaguesit që kanë detyrime të padiskutuara, për të cilat është në proces ankimi administrativ ose gjyqësor, mund të përfitojnë nga fshirja e detyrimeve nëse heqin dorë nga ankimi ose nga e drejta për të paditur. Kjo mundësi është e kushtëzuar nga dorëzimi i padisë apo ankimit në çdo fazë të gjykimit.
Për ata që do të përfitojnë nga dispozitat e fshirjes, organet tatimore do të nxjerrin akte administrative përkatëse, duke informuar tatimpaguesit për statusin e detyrimeve të tyre.
Ligji pritet të hyjë 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2026, duke ofruar një periudhë të mjaftueshme për tatimpaguesit të përmbushin detyrimet dhe të përfitojnë nga mundësitë për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe doganore.
Ky projektligj ka si qëllim të stimulojë rregullimin e detyrimeve tatimore dhe doganore, si dhe të ofrojë mundësi për rikuperimin e borxheve për tatimpaguesit që kanë hasur vështirësi financiare, duke u mundësuar atyre të shfrytëzojnë mundësinë e një fshirjeje të pjesshme ose të plotë të detyrimeve.
/Marrë nga ATSH



















